BALLKANI

Përurohet kontrolli i përbashkët kufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Në ceremoninë e lëshimit të kontrollit të përbashkët kufitar, të pranishëm ishin edhe kryeministrat Kurti dhe Mickoski, të cilët theksuan se ky hap tregon realizimin konkret të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve

Abdulbesar Ademi  | 12.04.2025 - Përdıtësım : 12.04.2025
Përurohet kontrolli i përbashkët kufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës Foto: Umeys Suleyman/AA

Bllacë

Maqedonia e Veriut dhe Kosova zyrtarisht kanë lëshuar në përdorim sistemin e kontrollit të përbashkët kufitar në vendkalimin Bllacë - Hani i Elezit, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes ndërkufitare, reduktimin e kohës së pritjes dhe rritjen e efikasitetit të kontrolleve kufitare, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e lëshimit të kontrollit të përbashkët kufitar, të njohur si "One Stop Shop", të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të cilët theksuan se ky hap tregon realizimin konkret të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve. Të pranishëm ishin edhe zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, dy ministrat e brendshëm nga të dy vendet, ai kosovar, Xhelal Sveçla, ai i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, si dhe zyrtarë dhe figura të tjera politike.

Kurti në fjalën e tij tha se krijimi i pikave të kontrollit të përbashkët kufitar janë pika të reja bashkëpunimi që lidhin më shumë dy vendet dhe forcojnë më tej fqinjësinë e mirë.

"Modeli i ri i vendkalimit të përbashkët kufitar në Bllacë, i bazuar në parimin 'hyrje-hyrje' është shembull i përparimit konkret dhe praktik, si dhe shenjë e rritjes së mirëbesimit midis nesh", tha Kurti.

Kryeministri kosovar njoftoi se gjatë vitit 2024 mbi 5 milionë qytetarë kanë kaluar në tre pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, shifër e cila, sipas tij, dëshmon lidhjen e fortë mes njerëzve të dy vendeve.

Mickoski, nga ana tjetër, tha se sot në këtë vendkalim kufitar "fillojmë të shkruajmë faqen e parë të një kapitulli të ri, bashkëkohor dhe pragmatik të bashkëpunimit tonë të ndërsjellë”. Sipas tij, krijimi i këtij sistemi të përbashkët kufitar nuk është vetëm modernizimi i një vendkalimi kufitar, por edhe një perspektivë e re për qytetarët, ekonominë dhe rajonin.

"Sot këtu në mënyrën më të mirë tregojmë se kufiri nuk duhet të jetë një mur. Kufiri mund dhe duhet të jetë ura jona e përbashkët, urë që lidh njerëzit, idetë dhe mundësitë. Një urë përmes së cilës flasim për besim, bashkëpunim, shkëmbim ekonomik, zhvillim të kulturës dhe turizmit. Urë që do të kalojnë miliona qytetarë, por edhe miliona shpresa dhe plane", tha Mickoski.

Ai gjithashtu theksoi se ky kufi, i cili deri më tani ishte pengesë, tashmë po bëhet simbol i modernitetit, integrimit dhe pjekurisë rajonale.

Më 4 korrik të vitit 2023, qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi tekstin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, e cila mundësonte krijimin e pikës së përbashkët kufitare ndërmjet dy vendeve. Punimet për të përfunduar projektin e krijimit të pikës së përbashkët kufitare filluan në qershor të vitit 2024.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë tre pika kufitare, por deri më tani pika kryesore dhe më e frekuentuar ka qenë ajo në Han të Elezit që lidhet me autostradën "Arbër Xhaferi".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.