BALLKANI

Qeveria e Kosovës subvencionon për të dytin vit me radhë librat shkollorë

Ministrja Nagavci ka bërë të ditur se sivjet janë 218.689 nxënës që do të përfitojnë nga kjo skemë

Agim Sulaj  | 13.08.2024 - Përdıtësım : 13.08.2024
Qeveria e Kosovës subvencionon për të dytin vit me radhë librat shkollorë Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) edhe sivjet do të ndihmojë në furnizimin e nxënësve me libra shkollorë nëpërmjet subvencionimit të prindërve, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media, ministrja e MASHT-it, Arbërie Nagavci, njoftoi se për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të ndahen nga 80 euro, ndërsa për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën deri në 110 euro.

"Edhe sivjet tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar, pra, subvencionimit të prindërve, të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë që nesër", theksoi Nagavci.

Ajo shtoi se prindërit mund të aplikojnë në platformën shtetërore elektronike "E-Kosova", derisa bëri të ditur se nesër do të plasojnë edhe një video-informuese rreth këtij procesi.

Nagavci ka bërë të ditur se sivjet janë 218.689 nxënës që do të përfitojnë nga kjo skemë.

Këtë vit, përveç teksteve shkollore, Qeveria e Kosovës do të subvencionojë edhe materiale tjera që ndihmojnë në procesin e mësimnxënies sa më cilësore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.