Qeveria e Shqipërisë vendos riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike
Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, tha se me vendim të Këshillit të Ministrave po e riorganizojnë akademinë, duke i vendosur institutet dhe njësitë përbërëse të saj pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
![Qeveria e Shqipërisë vendos riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike](https://cdnuploads.aa.com.tr/uploads/Contents/2023/05/31/thumbs_b_c_00b05a6bd50b790e53d92e7bb57139b1.jpg?v=142059)
Tiranë
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), riorganizim i cili ka shkaktuar reagime dhe debate në javët e fundit, raporton Anadolu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë tha se me vendim të Këshillit të Ministrave po e riorganizojnë këtë akademi, duke i vendosur institutet dhe njësitë përbërëse të saj si qendra autonome, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
"Sot në Këshillin e Ministrave kemi miratuar një vendim i cili ka patur gjatë ditëve të fundit shumë diskutime, debate, madje edhe dezinformime apo edhe spekulime. Është fjala për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike nga akademi që nuk mund të jetë më akademi, sepse nuk i plotëson kriteret për të qenë institucion i arsimit të lartë, në njësi autonome apo institute autonome pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me qëllim që ta ngremë albanologjinë shqiptare në një nivel të ri, pikërisht për rëndësinë që ka për sa i takon vlerave dhe identitetit tonë kombëtar", tha Kushi.
Ministrja Kushi theksoi se Akademia e Studimeve Albanologjike është e pa akredituar, sipas saj si nga ana institucionale, po ashtu edhe nga ana e programeve të studimeve.
Kushi tha më tej se "Ky vendim që morëm sot jo vetëm që e sjell në ligjshmëri albanologjinë shqiptare, por e ngre në një nivel më të lartë".
Reagon Akademia e Studimeve Albanologjike
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, e cila në një njoftim thekson se kanë marrë me shumë shqetësim paralajmërimin për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) dhe kalimin e aseteve të saj në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
"Ky veprim është kryer pa miratimin e studiuesve të ASA-s dhe si i tillë përbën ndërhyrje të institucioneve politike mbi veprimtarinë kërkimore”, thuhet në njoftim.
Akademia e Studimeve Albanologjike u krijua në kuadër të ristrukturimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, nga bashkimi i katër Instituteve (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish-Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
ASA u riorganizua si institucion kërkimor-shkencor më 10 mars 2008 dhe ka statusin e një qendre ndëruniversitare.