Qytetarët shqiptarë presin nga zgjedhjet parlamentare ndryshime në disa sektorë
Qytetarët shqiptarë, sidomos të rinjtë, kanë pritshmëri më të larta për këto zgjedhje sa u përket politikave për punësimin, sigurinë, shëndetësinë dhe zhvillimin e ekonomisë, por edhe për procesin e integrimit të vendit në BE

Tiranë
Në Shqipëri vazhdon fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj dhe partitë politike vazhdojnë të shpalosin programet e tyre, ndërkohë, qytetarët presin që këto zgjedhje të sjellin ndryshime në disa sektorë, raporton Anadolu.
Në këto zgjedhje janë regjistruar 53 parti politike, ndërkohë që garojnë 3 koalicione parazgjedhore dhe shtetasit me të drejtë vote do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 deputetë, për një periudhë 4-vjeçare.
Qytetarët shqiptarë, sidomos të rinjtë, kanë pritshmëri më të larta për këto zgjedhje sa u përket politikave për punësimin, sigurinë, shëndetësinë dhe zhvillimin e ekonomisë, por edhe për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE).
Artemisa Geca, 22-vjeçe e cila punon në një kompani private si menaxhere, shprehet se ka pritshmëri të larta për zgjedhjet. Ajo thekson se duhet që zëri i të rinjve të dëgjohet sepse shton se ajo dëshiron që në të ardhmen të punojë në Shqipëri.
Ajo u shpreh se si të rinj kërkojnë që të ketë politika në mbështetje të të rinjve që sipas saj të punojnë fort për vendin e tyre dhe që mos të largohen jashtë vendit.
"Sigurisht që në këto zgjedhje presim të ketë shumë ndryshime dhe përmirësime. Besoj dhe mendoj që duhet të ndryshojë shumë pjesa e sektorit të sigurisë, shëndetësisë, sigurisht dhe ekonomisë, sepse të rinjtë nuk duhet të largohen jashtë vendit, por duhet të ushtrojnë profesionet e tyre brenda Shqipërisë", tha ajo.
Lorenc Zaka, 47-vjeç, i cili punon në një kompani ndërtimi, shprehet se pret rritjen e standardeve të jetesës në Shqipëri.
"Hera e fundit që kam votuar ka qenë në vitin 1998. Këtë herë kam dëshirë të votoj dhe jam i interesuar. Nga këto zgjedhje pres më shumë punësim, integrim në Bashkimin Evropian dhe zhvillim më të madh ekonomik. Presim edhe rritjen e standardeve të jetesës në Shqipëri", thekson Zaka.
Deborah Muçolli, 28-vjeçe, e cila punon në një organizatë joqeveritare si specialiste e marrëdhënieve ndërkombëtare, tha se shpreson të ketë përmirësim në lidhje me ekonominë dhe të ardhura më të mira për shqiptarët.
"Patjetër që do të votoj sepse është detyrim qytetar primar. Besoj se Shqipëria ka ndryshuar shumë ndër vite, kështu që patjetër vendimi i popullit është ai që është thelbësor në lidhje me të ardhmen", tha ajo.
Muçolli u shpreh ndër të tjera se presin të mirat që mund të sjellë anëtarësimi në Bashkimi Evropian.
Kasem Agia, 56-vejç, i cili me profesion është mekanik, tregon se do të votojë në këto zgjedhje sepse sipas tij është një e drejtë qytetare që duhet të shfrytëzohet. "Vendi ka nevojë për shumë gjëra. Unë pres që të ketë ndryshim në arsim, shëndetësi, punësim. Të rinjtë duhet ta gjejnë veten patjetër këtu sepse e ardhmja është këtu(në Shqipëri)", tha Agia.
Lalush Ago, 71-vjeç, pensionist, thekson se qeveria duhet të japë fonde sa më shumë për pensionet. "Nga këto zgjedhje presim që kush të fitojë t'i kthejë sytë nga pensionistët, të rriten pensionet", tha ai.
Në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian, Ago u shpreh se situatën e shikon pozitive dhe sipas tij Shqipëria duhet të pranohet në BE.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, të drejtën e votës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.