BALLKANI

Rama: Ballkani Perëndimor është sot në një pozicion shumë më të mirë sesa ka qenë ndonjëherë

Gjatë fjalës në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të OKB-së, kryeministri Rama u fokusua në disa çështje në lidhje me rajonin, luftën Rusi-Ukrainë, situatën në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera

Fatjon Cuka  | 28.09.2024 - Përdıtësım : 29.09.2024
Rama: Ballkani Perëndimor është sot në një pozicion shumë më të mirë sesa ka qenë ndonjëherë

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të OKB-së ka theksuar se Ballkani Perëndimor është sot në një pozicion shumë më të mirë sesa ka qenë ndonjëherë, raporton Anadolu.

Gjatë fjalës së tij, Rama u fokusua në disa çështje në lidhje me rajonin, luftën Rusi-Ukrainë, situatën në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera.

"Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për tolerancë e besim, një dorë të shtrirë miqësie drejt njëri-tjetrit. Mos u gaboni, me tolerancë nuk nënkuptoj vetëkënaqësi. Toleranca kërkon që të shkojmë përtej zonave tona të rehatisë dhe jo thjeshtë të tolerojmë, por të tolerojmë me respekt në mënyrë aktive, me hijeshi", u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se Kosova është një realitet i pakthyeshëm si shtet i Ballkanit Perëndimor, sipas tij, me një perspektivë të qartë evropiane.

"Do të thoja që Ballkani Perëndimor është sot në një pozicion shumë më të mirë sesa ka qenë ndonjëherë, por na duhet të punojmë pareshtur dhe me durim midis vetes sonë në rajon e mbi të gjithë me aleatët e partnerët tanë për t’u siguruar që kthimi në të shkuarën të jetë, jo vetëm i pamundur, po thjeshtë i paimagjinueshëm. Në këtë kontekst Republika jonë simotër e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm si shtet mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me një perspektivë të qartë evropiane e një aleancë të padiskutueshme ndaj komunitetit të madh demokratik të vendeve", tha Rama.

Rama tha Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës dhe do të mbështesë atë për aq kohë sa është e nevojshme. "Në vitin e tretë të luftës së pajustifikuar e të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, ndihemi të detyruar të përtërimë thirrjen tonë për Rusinë që ta ndalë këtë luftë", tha ndër të tjera Rama.

Duke folur për situatën në Lindjen e Mesme, kryeministri Rama u shpreh se konfirmojnë edhe një herë mbështetjen kombëtare për një zgjidhje të drejtë e gjithëpërfshirëse të konfliktit izraelito-palestinez mbështetur në zgjidhjen me dy shtete. "Shqipëria mbështet përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë konflikt përmes dialogut e bisedimeve që çojnë në një zgjidhje të vërtetë dhe të pavarur", shtoi Rama.

Gjatë qëndrimit në New York, kryeministri Rama zhvilloi takime edhe me zyrtarë të ndryshëm, ndërkohë ishte i pranishëm edhe në disa takime dhe aktivitete.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın