Fatjon Cuka
20 Gusht 2021•Përditësim: 21 Gusht 2021
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë realizuar një bisedë telefonike, me fokus çështjen e strehimit të shtetasve afganë të konsideruar aleatë nga SHBA-ja, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka publikuar njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku konfirmohet se kryediplomati amerikan ka biseduar me kryeministrin e Shqipërisë lidhur me çështjen në fjalë.
"Sekretari dhe kryeministri u konsultuan mbi ofertën e aleates së NATO-s, Shqipërisë, për të strehuar përkohësisht afganët në nevojë. Gjithashtu sekretari Blinken falënderoi kryeministrin Rama për vijimin e traditës krenare të Shqipërisë për strehimin njerëzve në nevojë", thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Gjithashtu theksohet se Blinken dhe Rama "ripohuan partneritetin e ngushtë midis dy vendeve".
Në lidhje me bisedën ka reaguar në rrjetet sociale edhe sekretari Blinken. "Faleminderit Edi Rama për ofertën e Shqipërisë për të siguruar strehë të sigurt për afganët në nevojë. Shumë mirënjohës për partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe aleates tonë të NATO-s", ka shkruar Blinken.
Kujtojmë se disa ditë më parë kryeministri Rama konfirmoi se qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë mundësinë që të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, që destinacion të fundit kanë SHBA-në.
Në lidhje me këtë çështje, autoritetet shqiptare kanë nisur përgatitjet për pritjen e shtetasve afganë, duke ngritur qendrën pritëse dhe strukturat akomoduese.