BALLKANI

Rritet në të paktën 59 numri i të vdekurve nga zjarri në Koçani, 155 të tjerë të plagosur

Toshkovski njoftoi se ndër personat që humbën jetën janë identifikuar 35, ndërkohë Taravari njoftoi se ndër të plagosurit 18 janë në gjendje kritike, prej të cilëve edhe të mitur

Abdulbesar Ademi  | 16.03.2025 - Përdıtësım : 16.03.2025
Rritet në të paktën 59 numri i të vdekurve nga zjarri në Koçani, 155 të tjerë të plagosur Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Sipas informacioneve të fundit nga autoritetet, numri i personave që kanë humbur jetën nga zjarri në diskotekën në Koçani të Maqedonisë së Veriut ka shkuar në 59, ndërsa numri i të plagosurve në 155, transmeton Anadolu.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se ndër personat që humbën jetën janë identifikuar 35, prej të cilëve 31 janë nga Koçani dhe katër nga Shtipi.

“Deri më tani janë bërë intervista me 10 persona të shtruar në spital, mes tyre edhe një anëtar i grupit DNK. Për katër persona është lëshuar një urdhër-arresti qendror. Është duke u shqyrtuar edhe dokumentacioni për lejet e diskotekës nga Ministria e Ekonomisë”, tha Toshkovski.

Më herët, Toshkovski tha se sipas informacioneve të para, shkaku i zjarrit ishte rezultat i shkëndijave nga mjetet piroteknike të përdorura për efekt ndriçimi në ngjarjen argëtuese.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi se të plagosurit nga zjarri po trajtohen në spitalet shtetërore dhe në Qendrën Klinike në Shkup dhe se të gjithëve iu është ofruar ndihma mjekësore.

Taravari theksoi se ndër të plagosurit 18 janë në gjendje kritike, prej të cilëve edhe të mitur.

Prokurori publik, Ljupço Kocevski, tha se tre prokurorë akoma po hetojnë në vendin e zjarrit dhe po mbledhin të gjitha provat e nevojshme. Siç raportohet, deri më tani është ndaluar pronari i diskotekës në Koçani, e cila funksiononte prej disa vitesh.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.