BALLKANI

Samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Evropian do të mbahet në Tiranë

Në nisje të takimit të Komunitetit Politik Evropian, Kryeministri Rama iu përgjigj mediave në Budapest, ndërkohë ai ka theksuar se do marrin stafetën për samitin e ardhshëm në Tiranë në gjysmën e parë të vitit 2025

Fatjon Cuka  | 07.11.2024 - Përdıtësım : 07.11.2024
Samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Evropian do të mbahet në Tiranë Foto: Arkiv / AA

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po realizon një vizitë në Hungari, për të marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian, së bashku me dhjetëra kryetarë shtetesh dhe të qeverive nga vendet e Evropës, raporton Anadolu.

Në nisje te sesionit plenar, Kryeministri Rama iu përgjigj mediave të pranishme në Budapest, ndërkohë ai ka theksuar se do marrin stafetën për samitin e ardhshëm në Tiranë në gjysmën e parë të vitit 2025.

"Po marrim stafetën këtu për takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian në Shqipëri gjysmën e parë të vitit që vjen, dhe sigurisht ka shumë gjëra për të diskutuar. Ndryshimi i klimës është i kudogjendur dhe në krye të përparësive të vendeve evropiane, sigurisht, por ka edhe çështje të tjera për të diskutuar. Ne jemi shumë krenarë që të kemi mundësi që ta mikpresim këtë takim", u shpreh Rama.

Në lidhje me fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA të kandidatit republikan Donald Trump, Rama u shpreh se nuk mendon që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën.

"Përvoja më thotë që kur ishte president (Trump) dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO-ja u bë më e fortë. Kështu që, le të shohim dhe le të mos bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën. Mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën", tha Rama.

Liderët pjesëmarrës në takim do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa, në seancën plenare, e cila do të pasohet nga katër sesione kryesore mbi temat e migracionit dhe sigurisë ekonomike.

Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, sesioni për migracionin do të përfshijë të gjitha aspektet e migracionit, ndërsa ai për sigurinë ekonomike do të diskutojë edhe lidhjen në aspektin e energjisë, transportit, IT-së dhe gjithashtu tregtisë globale.

Gjatë qëndrimit në Hungari, Rama do të zhvillojë edhe takime me homologët e tij nga disa vende.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın