Sejko: Projeksionet ekonomike për të ardhmen mbeten pozitive në Shqipëri
Guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën për media është ndalur në zhvillimet ekonomike, treguesit e inflacionit, punësimin, pagat dhe aspektet e stabilitetit të sistemit financiar

Tiranë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Gent Sejko, ka mbajtur një konferencë për mediat mbi çështjet e politikës monetare, ndërkohë ka theksuar se projeksionet ekonomike për të ardhmen mbeten pozitive në Shqipëri, raporton Anadolu.
Sejko është ndalur në zhvillimet ekonomike, treguesit e inflacionit, punësimin, pagat dhe aspektet e stabilitetit të sistemit financiar.
"Ndonëse jo të plota, të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat, kanë ardhur në rritje gjatë dy tremujorëve të fundit, inflacioni qëndron në nivele të ulëta, tregjet financiare shfaqen të qeta, ndërsa kreditimi ka shënuar rritje të shpejtë e të qëndrueshme", tha Sejko.
Ai u shpreh se politika monetare e kujdesshme dhe konsistente e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, ka pasur një kontribut pozitiv në këto zhvillime, që sipas tij ka gjeneruar një ambient financiar të qetë.
"Projeksionet ekonomike për të ardhmen mbeten pozitive. Në skenarin bazë, inflacioni pritet të luhatet pranë objektivit, ndërsa ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatin e mesëm", tha Sejko.
Sejko shtoi se inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të lehtë në dy muajt e parë të vitit 2025, duke qëndruar në nivelin mesatar prej 1,9 për qind.
Sipas Bankës së Shqipërisë, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave dhe tarifave tregtare, mund të sjellin pasoja potenciale negative në rritjen ekonomike dhe inflacionin.