Serbi, një person qëllohet për vdekje pasi sulmoi një pjesëtar policie jashtë ambasadës izraelite
Ministri i Brendshëm Ivica Daçiq e quajti incidentin akt terrorist dhe tha se policia ndaloi një person tjetër pranë objekteve të policisë si masë paraprake
![Serbi, një person qëllohet për vdekje pasi sulmoi një pjesëtar policie jashtë ambasadës izraelite](https://cdnuploads.aa.com.tr/uploads/Contents/2024/06/29/thumbs_b_c_b62c6e6e7434e88c1013f143d0d3bef0.jpg?v=154028)
Beograd
Një person në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, u qëllua për vdekje pasi sulmoi një oficer policie përpara ambasadës izraelite sot, tha Ministria e Brendshme e vendit, transmeton Anadolu.
Sipas ministrisë, një oficer i Xhandarmërisë i identifikuar si Millosh Jevremoviq përdori një armë në vetëmbrojtje ndaj sulmuesit, i cili vdiq për shkak të plagëve, tha ministria.
Jevremoviq punon si roje e përhershme e sigurisë në ambasadë.
Punonjësi i policisë është transportuar në një qendër urgjence në gjendje të vetëdijshme, ku do t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e një shigjete nga qafa.
Ka nisur hetimi për zbardhjen e rrethanave të sulmit dhe motiveve të mundshme.
Ministria tha se oficeri u qëllua në qafë me një hark dhe shigjetë.
Ministri i Brendshëm Ivica Daçiq ka shkuar në qendrën e urgjencës për të vizituar oficerin e plagosur i cili ka pësuar lëndime të rënda.
Daçiq e quajti incidentin akt terrorist dhe tha se policia ndaloi një person tjetër pranë objekteve të policisë si masë paraprake.
Duke folur në një konferencë për shtyp, ai tha se personat e përfshirë ishin të njohur për forcat e sigurisë.
Zyrtarët dhe diplomatët e ambasadës izraelite nuk ishin në ndërtesë në momentin e incidentit kur oficeri u sulmua.
“Policia është duke hetuar rastin. Nuk kemi detaje të mëtejshme. Në momentin e ngjarjes, ambasada ishte e mbyllur dhe zyrtarët dhe diplomatët e saj nuk ndodheshin në ndërtesë. I urojmë shërim të shpejtë pjesëtarit të plagosur të xhandarmërisë”, i tha ambasada transmetuesit lokal N1.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.