BALLKANI

Serbia e quan "provokim" marrëveshjen e mbrojtjes Shqipëri-Kosovë-Kroaci

Në një reagim të martën vonë, Ministria e Jashtme tha se Serbia do t'u dërgojë kërkesë urgjente Ministrive të Jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë, për të kërkuar shpjegim të detajuar lidhur me nënshkrimin e memorandumit

Shpetim Hiseni  | 18.03.2025 - Përdıtësım : 18.03.2025
Serbia e quan "provokim" marrëveshjen e mbrojtjes Shqipëri-Kosovë-Kroaci

Shkup

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka cilësuar si “provokim” marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes të nënshkruar midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, transmeton Anadolu.

Në një reagim të martën vonë, Ministria e Jashtme tha se Serbia do t'u dërgojë kërkesë urgjente Ministrive të Jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë, për të kërkuar shpjegim të detajuar lidhur me nënshkrimin e memorandumit trepalësh për bashkëpunim ushtarak.

Me këtë marrëveshje, këto dy shtete, “së bashku me përfaqësuesin e paligjshëm të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”, kanë ndërmarrë hapa që dëmtojnë stabilitetin rajonal, pretendohet në deklaratën e Ministrisë.

Serbia, siç pretendohet në deklaratë, si një shtet që garanton paqen dhe neutralitetin ushtarak në Ballkan, “me të drejtë kërkon përgjigje mbi natyrën dhe objektivat e këtij bashkëpunimi në fushën e sigurisë”.

“Është veçanërisht shqetësues fakti që kjo aleancë ushtarake po krijohet pa konsultim me Beogradin, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të një strukture që nuk ka legjitimitet ndërkombëtar dhe që përbën një kërcënim për sigurinë për popullin serb dhe mbarë rajonin”, thuhet në deklaratë.

“Nuk do të injorojmë mesazhin politik të qartë të kësaj iniciative. Është e dukshme se ky memorandum nuk është rezultat i një bashkëpunimi të rastësishëm, por një strategji e synuar për të izoluar Serbinë dhe për të forcuar struktura paramilitare në krahinën jugore të Serbisë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Ministria e Jashtme.

Ndryshe, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan sot në Tiranë deklaratën e përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Deklarata është nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq.

Sipas një njoftimi për mediat nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ky bashkëpunim synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tre vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.

Gjithashtu theksohet se ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tre shteteve, "të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt".

Gjithashtu theksohet se Shqipëria dhe Kroacia do të punojnë ngushtë për unifikimin e qëndrimeve politike në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın