BALLKANI, Koronavirusi

Shkalla e vaksinimit kundër COVID-19 në shtetet e Ballkanit Perëndimor mbetet e ulët

Vaksinimi kundër COVID-19 në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është nën 50 për qind ndërsa mbi 50 për qind në Kroaci, Slloveni dhe Mal të Zi

20.10.2021 - Përdıtësım : 21.10.2021
Shkalla e vaksinimit kundër COVID-19 në shtetet e Ballkanit Perëndimor mbetet e ulët

Shkup,Sarajeve

FURKAN ABDULA/LEJLA BIOGRADLIJA AKSAN -

Përderisa vaksinimi kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në shtetet e Ballkanit Perëndimor; Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë e Hercegovinë (BeH) dhe Serbi është nën 50 për qind, kjo shifër është tejkaluar në Kroaci, Slloveni dhe Mal të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

- Shqipëria

Në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vijon vaksinimi dhe që prej fillimit të vaksinimit në janar të këtij viti janë kryer në total 1.836.856 doza të vaksinës ndaj COVID-19, ku prej tyre 857.201 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës deri më 18 tetor. Në vend 30 për qind e popullsisë është vaksinuar kundër virusit.

Në Shqipëri janë ende në fuqi disa masa kundër pandemisë, ndërsa disa të tjera janë lehtësuar.

Është në fuqi kufizimi i lëvizjes në të gjithë territorin e Shqipërisë, nga ora 23:00 deri në orën 06:00 dhe lejohet lëvizja vetëm për arsye shëndetësore ose emergjencë.

Mbajtja e maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik është e detyrueshme.

Klubet e natës dhe diskot vijojnë të mbeten të mbyllura ndërsa baret dhe restorantet janë të mbyllura nga ora 23:00 deri në orën 06:00, me përjashtim të shërbimit "delivery".

Grumbullimet në ambientet e jashtme lejohen deri në 50 persona, duke zbatuar rregullat sipas protokolleve shëndetësore.

Lejohen kampionatet sportive, aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike, kulturore, konferencave me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30 për qind.

Ministria ka konfirmuar se që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 178.804 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 2.841 persona kanë ndërruar jetë.


- Kosova

Në Kosovë deri më tani janë administruar mbi 1.5 milionë vaksina ndërsa rreth 670 mijë qytetarë janë të vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës. 37 për qind e popullsisë është vaksinuar.

Çdo ditë vaksinohen rreth 15 mijë persona brenda 24 orëve dhe synimi i autoriteteve shëndetësore është arritja e vaksinimit të 60 për qind të popullatës deri në fund të këtij viti.

Aktualisht masat për menaxhimin e COVID-19 nuk janë liruar që nga 28 gushti kur hynë në fuqi masat e reja. Vendi vazhdon ende të ketë orë policore nga ora 22:30 deri në orën 05:00 ndërsa gastronomia dhe lokalet afaristo-biznesore mbyllen nga ora 21:30.

Të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë së tyre, obligohen ende të paraqesin dokumente përkatëse si: dëshminë e vaksinimit ose testin PCR të bërë në 24 orët e fundit apo testin serologjik jo më të vjetër se 30 ditë në të kundërtën do të duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

Kosova deri më tani ka raportuar 160.558 raste dhe 2.974 vdekje nga virusi.


- Maqedonia e Veriut

Një vend tjetër me normë të ulët të vaksinimit është Maqedonia e Veriut. Deri më 18 tetor janë administruar 1.566.348 doza të vaksinës, prej të cilëve 764.953 janë me dy doza.

Sipas popullsisë, në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar 35 për qind me dy doza ndërkaq në ambiente të mbyllura kërkohet mbajtja e maskës, PCR test negativ, certifikatë të vaksinimit ose dokument që ka kaluar COVID-19.

Gjithashtu, në hyrje të vendit kërkohet PCR test negativ ose certifikatë vaksinimi. Ata që nuk mund të sigurojnë këtë zbatohet 5 ditë karantinë.

Sipas të dhënave të fundit numri i rasteve në vend është 197.669 ndërsa i të vdekurve 6.978.


- Bosnjë e Hercegovina

Bosnjë Hercegovina (BeH), e cila ishte shumë e ngadaltë në furnizimin me vaksina që në fillim të pandemisë, deri më tani ka vaksinuar vetëm 15 për qind të popullsisë prej rreth 3.5 milionë banorëve. Vendi ka përqindje më të ulët të vaksinimit nga vendet e Ballkanit pasi deri më tani 508 mijë persona kanë marrë dy doza.

Përderisa vazhdon vaksinimi në dy entitetet e BeH, Federata e Bosnjë e Hercegovinës (FBeH) dhe Republika Sërpska (RS), deri më tani janë administruar 1 milion e 24 mijë vaksina.

Në BeH, numri i rasteve ditore është rreth 200 ndërsa deri më tani janë raportuar 245.791 raste dhe kanë humbur jetën 11.228 persona.


- Serbia

Numri i rasteve, në një vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, Serbi, është rritur në 1 milion e 62 mijë, prej të cilëve 9.214 kanë humbur betejën me virusin.

Në Serbinë me një popullsi prej 7 milionë banorësh, COVID-19 ka filluar të haset më shumë tek gratë shtatzëne dhe fëmijë ndërsa janë administruar 6 milionë e 68 mijë doza të vaksinës, prej të cilëve 2 milionë e 930 mijë me dozën e dytë. Ky numër korrespondon me 42 për qind të popullsisë.


- Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia janë përpara në vaksinim

Kroacia, njëherësh edhe anëtare e Bashkimit Evropian (BE), deri më tani ka vaksinuar 55 për qind të popullsisë.

Vendi ka administruar 3 milionë e 524 mijë doza të vaksinës, prej të cilëve 1 milion e 682 mijë janë me dozën e dytë.

Numri i rasteve në Kroaci është 429 mijë e 974, kurse kanë humbur jetën 8.928 persona. Në Kroaci, me popullsi prej 4 milionë banorësh, në krahasim me javët e fundit ka filluar të rritet numri i rasteve.

Një vend tjetër që ka tejkaluar pragun prej 50 për qind në vaksinim është Mali i Zi me një popullsi prej 620 mijë banorësh. Mali i Zi ka vaksinuar 51 për qind të popullsisë ose 234.725 persona me dy doza.

Ekspertët e shëndetësisë theksojnë se me vaksinimin edhe të 200 mijë personave pandemia në vend mund të vihet nën kontroll, kurse deri më tani vendi ka regjistruar 138.607 raste dhe 2.042 vdekje.

Nga ana tjetër, Sllovenia anëtare e BE-së, e cila në rend dite erdhi me protesta kundër vaksinimit deri më tani ka vaksinuar 50 për qind të popullsisë.

Vendi me rreth 2 milionë banorë ka administruar 2 milionë e 21 mijë doza vaksina, prej të cilëve 1 milion e 7 mijë me dy doza.

Në ditët e fundit rastet ditore në vend kanë shënuar rritje. Deri më tani janë raportuar 310.170 raste dhe 4.645 vdekje nga virusi.

Në testet ditore të kryera nga muaji janar në vend janë zbuluar më shumë se 30 për qind raste pozitive ndërkaq kryeministri Janez Jansha nga shtatori tha se rastet janë në rritje për shkak të protestave që vazhdojnë nga shtatori kohë pas kohe.

Në Slloveni për transport publik, për vendet e mbyllura dhe hyrje në institucionet publike nevojitet vaksinim kundër COVID-19 ose test negativ të PCR.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.