Shkup, IBU hap qendrën inovative të teknologjisë së informacionit "BIT Loft"
Ministri Andonovski lavdëroi përkushtimin e IBU-s ndaj ekselencës teknologjike si dhe shprehu mbështetje për nismën "BIT Loft", duke e quajtur një zhvillim kyç në pozicionimin e vendit të tij përballë transformimit digjital

Shkup
Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) organizoi një ceremoni për inaugurimin e pritshëm të "Balkan Information Technology" (BIT Loft), duke synuar për një hap të rëndësishëm në nxitjen e përparimit teknologjik dhe inovacionit në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, transmeton Anadolu.
Në këtë ceremoni ndër të ftuarit e shumtë ishte edhe ministri për Transformim Digjital i vendit, Stefan Andonovski, i cili siç njofton qendra për media në IBU, në fjalën e tij theksoi rolin transformues të inteligjencës artificiale (AI) dhe inxhinierisë kompjuterike në epokën moderne.
Andonovski e përgëzoi IBU-n për kontributet e jashtëzakonshme në këtë fushë, lavdëroi përkushtimin e universitetit ndaj ekselencës teknologjike si dhe shprehu mbështetje për nismën "BIT Loft", duke e quajtur një zhvillim kyç në pozicionimin e vendit të tij përballë transformimit digjital.
Rektori i IBU-s, Lütfi Sunar, nga ana e tij, paraqiti planet ambicioze të universitetit për të ardhmen, duke theksuar vizionin strategjik të universitetit për të zgjeruar ofertat akademike në inxhinierinë kompjuterike dhe inteligjencën artificiale në të gjitha ciklet e studimit.
Sunar gjithashtu ndau planet inovative të IBU-s për krijimin e një "TECHNOPARK" brenda kampusit, një hap që sipas tij "do të tërheq investitorë dhe do të krijojë një ekosistem për inovacion teknologjik për aq kohë sa vendi do të sigurojë një kornizë të përshtatshme ligjore".
"E ardhmja u përket atyre që përqafojnë inteligjencën artificiale dhe inxhinierinë kompjuterike dhe në IBU ne jemi të përkushtuar për të udhëhequr këtë transformim", tha Sunar duke shtuar se nëpërmjet iniciativave të tyre synojnë të kontribuojnë jo vetëm në akademi, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të shoqërisë.
- "BIT Loft", një qendër për inovacion dhe bashkëpunim
Zyra për media në IBU njofton se qendra "BIT Loft" është më shumë se një hapësirë, është një vizion për të ardhmen e teknologjisë së informacionit. I vendosur në çatinë e kampusit të studentëve të IBU-së, "BIT Loft" ofron ambient frymëzues për bashkëpunim dhe mësim, duke krijuar një urë mes njohurive akademike dhe aplikimeve praktike.
I pajisur me teknologjinë më të fundit, internet me shpejtësi të lartë dhe burime të larmishme, "BIT Loft" shërben si një qendër ku studentët, profesionistët dhe entuziastët e teknologjisë mund të bashkëpunojnë, të inovatizojnë dhe të zhvillojnë zgjidhje të avancuara.
Me një mision për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme të liderëve të teknologjisë, kjo qendër promovon një kulturë të të nxënit praktik, kreativitetit dhe sipërmarrjes. Ajo organizon kampe programimi, punëtori mbi mendimin dizajnues, seminare nga ekspertë të industrisë dhe "hackathone" të orientuara drejt zgjidhjes së problemeve reale.
Kjo qendër inovative po ashtu është e krijuar për të fuqizuar studentët dhe profesionistët, duke nxitur një ekosistem të ekselencës teknologjike.