Shpërndahet Kuvendi i Kosovës
Deputetët sot votuan me shumicë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë
Me votat e 88 deputetëve të Kuvendit të Kosovës sot është shpërndarë Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet një seancë të thirrur me kërkesë të 98 deputetëve të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë shqyrtim propozimi të grupit të deputetëve, kanë votuar gjithsej 91 deputetë, 88 kanë qenë pro shpërndarjes së Kuvendit, 1 kundër dhe 2 abstenime.
Paraprakisht, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i cili foli në emër të 98 deputetëve që kanë kërkuar seancë, tha se mocioni për shpërndarjen e legjislaturës së Kuvendit është në pajtim me të gjitha grupet parlamentare.
“Në bazë të nenit 82, paragrafi 1, pika 2, Kushtetutës së Republikës së Kosovës propozojmë për shqyrtim në këtë seancë mocionin për shpërndarje të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës. Ky mocion është në pajtim me qëndrimet e shprehura nga të gjitha grupet parlamentare në mbledhjen e Kryesisë, me kryetarë të grupeve parlamentare të iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli”, tha Krasniqi.
Deputeti i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se kjo legjislaturë “ka qenë arenë konfrontimesh pozitë – opozitë për të ruajtur ligjshmërinë dhe Kushtetutën e Kosovës, e jo debat për avancimin e politikave në interes të qytetarëve”.
“Si opozitë, kemi pasur përballë një koalicion prej 24 partive, por që përfaqësonin vetëm 1/3 e elektoratit, një koalicion pa legjitimitet, jo profesional, me vendimmarrje 'ad-hoc' të bazuar në interesa politike dhe të grupeve të interesit. Si rezultat, është realizuar vetëm 30 për qind e axhendës legjislative, dhe atë nga vullneti i opozitës për të mbështetur disa ligje specifike”, theksoi Hoti.
Debatit i ka paraprirë edhe votimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për “IPA 2018” ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE), marrëveshje që i sjell Kosovës rreth 90 milionë euro përfitim nga BE-ja. Kjo marrëveshje parasheh financimin e reformave në avancimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, mjedisit, energjisë, arsimit dhe punësimit në Kosovë.
Pas këtij vendimi të deputetëve të Kuvendit për shpërndarjen e kësaj legjislature, Kushtetuta i jep të drejtën presidentit të vendit Hashim Thaçi ta shpallë ditën e zgjedhjeve parlamentare jo më vonë se 45 ditë nga sot. Thaçi për këtë çështje ka takuar dje në Presidencë shefen e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, me të cilën biseduan për organizimin e zgjedhjeve të reja.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.