Shqipëri, konferencë mbi rolin e prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore
Pjesë e aktivitetit të organizuar në Tiranë ishin përfaqësues të institucioneve, të organizatave ndërkombëtare, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, përfaqësues të policisë dhe organizata të shoqërisë civile

Tiranë
Misioni i OSBE-së në Shqipëri dhe Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë organizuan një konferencë mbi çështjet për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore, raporton Anadolu.
Pjesë e aktivitetit të organizuar në Tiranë ishin përfaqësues të institucioneve, të organizatave ndërkombëtare, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, përfaqësues të policisë dhe organizata të shoqërisë civile.
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, në fjalën e tij u shpreh se prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe përfaqësuesit e policisë kanë detyrën thelbësore të hetimit, ndjekjes penale dhe luftës kundër krimit zgjedhor.
"Ky aktivitet zhvillohet në një moment kritik, vetëm një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Integriteti zgjedhor qëndron në themel të çdo shoqërie demokratike. Sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kërkon institucione të forta, llogaridhënie, transparencë dhe angazhim të palëkundur ndaj shtetit të së drejtës", tha Tarran.
Ai tha se vlerëson masat paraprake dhe të bashkërenduara të ndërmarra nga institucionet për trajtimin e sfidave që lidhen me trajtimin e krimeve zgjedhore.
Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, u shpreh se kanë arritur në një fazë tjetër të rëndësishme dhe një moment kyç, i cili sipas tij lidhet me përgatitjen e institucionit të prokurorisë në raport me procesin zgjedhor.
"Shkëmbimi i opinioneve, i eksperiencave, diskutimi mbi ato që janë prioritete dhe problemet në hetimin e krimeve zgjedhore, mendoj se do të rrisin jo vetëm ndërgjegjësimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë për atë se çfarë ndodh gjatë procesit zgjedhor, por do t’i bëjë ata edhe më të ndjeshëm për të kuptuar rëndësinë thelbësore që ka performanca institucionale në raport me procesin zgjedhor", tha Çela.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, u bëri thirrje partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile që të adresojnë të gjitha shqetësimet dhe problematikat që konstatojnë në lidhje me zhvillimin e procesit zgjedhor.
"Ftesa për partitë politike, por edhe për organizatat e shoqërisë civile është për një adresim konkret, bazuar në prova dhe jo në retorikë politike apo në narrativë elektorale të të gjitha shqetësimeve. Jam besimplotë që ky proces zgjedhor do të përmbushë ata standarde të cilat i kërkohen një vendi i cili do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian", tha ndër të tjera Celibashi.
Gjatë aktivitetit folën edhe përfaqësues të Policisë së Shqipërisë. Gjatë konferencës organizuar në formën e një tryeze diskutimi u theksua se kjo tryezë përfaqëson vazhdimësinë e mbështetjes së ofruar nga Misioni i OSBE-së në Shqipëri për institucionet "me qëllim realizimin e zgjedhjeve të lira dhe me integritet".