Shqipëri, KQZ regjistron 39 parti politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Në seancën e djeshme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve pranë KQZ-së janë regjistruar 15 parti politike, ndërkohë në seancën e sotme 24 parti politike

Tiranë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) ka regjistruar paraprakisht 39 parti politike si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, raporton Anadolu.
Në seancën e djeshme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve pranë KQZ-së janë regjistruar 15 parti politike, ndërkohë në seancën e sotme 24 parti politike.
Dy partitë më të mëdha të regjistruara janë partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe partia opozitare, Partia Demokratike e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Sipas KQZ-së sot përfundon afati për depozitimin e kërkesave nga partitë politike për regjistrimin si subjekte zgjedhore dhe komiteteve nismëtare.
Gjithashtu ky institucion ka bërë të ditur se më 3 mars përfundon afati për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore, më 12 mars përfundon afati për dorëzimin e listave shumemërore të kandidatëve dhe më 25 mars përfundon afati për miratimin e listave shumemërore.
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj 2025, ndërkohë KQZ dhe institucione të tjera vazhdojnë përgatitjet për procesin zgjedhor.
Në këto zgjedhje është vendosur që të votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe KQZ ka njoftuar se sot publikohet lista paraprake e zgjedhësve nga jashtë vendit.