Shqipëri, mbërrijnë 192 mijë doza të vaksinës kineze kundër COVID-19
Në lidhje me sigurimin e vaksinave, kryeministri Rama realizoi një vizitë pune në Turqi, me qëllim realizimin e negociatave me kompaninë distributore, ndërkohë, ai theksoi se do të mbërrijnë edhe doza të tjera
Tiranë
Në Shqipëri kanë mbërritur 192.000 dozat e para të vaksinës kineze kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të kompanisë Sinovac, me qëllim për të filluar me vaksinimin masiv, raporton Anadolu Agency (AA)
Avioni me dozat e vaksinës ka mbërritur nga Turqia në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza", ndërkohë, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,
Në lidhje me sigurimin e vaksinave, kryeministri Rama realizoi një vizitë pune në Turqi, me qëllim realizimin e negociatave me kompaninë distributore të këtyre vaksinave, ndërkohë, në një konferencë për mediat në aeroport ai theksoi se do të mbërrijnë edhe doza të tjera.
"Sot ne sjellim në Shqipëri 192 mijë doza dhe brenda 60 ditësh, por me një kalendar më të shpejtë sesa 60 ditë ne do të kemi 1,2 milionë doza plus, gjë që na mundëson që menjëherë të shtrijmë vaksinimin në gjithë territorin në bazë të planit që kemi përgatitur dhe të nisim një proces shumë intensiv vaksinimi. Ajo që duam është që brenda majit të kemi vaksinuar gjysmë milioni qytetarë. Kemi vendosur vijën e objektivit tek afati deri brenda qershorit", tha Rama.
Ai theksoi se aktualisht në Shqipëri ka 282 mijë vaksina, duke përfshirë vaksinën kineze, vaksinën Astra Zeneca nga mekanizmi COVAX, vaksinën nga kontrata me Pfizer dhe vaksinën Sputnik V, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).
"Njëkohësisht kemi nisur edhe bisedat për të sjellë në Shqipëri fabrikën e prodhimit të vaksinave, një fabrikë e teknologjisë së lartë e cila aktualisht është një ndër më të mëdhatë farmaceutike në botë, kompania farmaceutike që bën edhe distribucionin e vaksinës Sinovac, por që në të njëjtën kohë është prodhuese e shumë vaksinave të tjera dhe produkteve të tjera farmaceutike", u shpreh më tej Rama.
Lidhyr me mbështetjen për Kosovën në lidhje me vaksinat, Rama tha se "Ne sot kemi mundësinë që t’i japim një mesazh të drejtpërdrejtë Kosovës, vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë. Jemi gati menjëherë që nesër të marrim përsipër vaksinimin e të gjitha bluzave të bardha të Kosovës. Janë 11 mijë punonjës të shëndetësisë në Kosovë".
Në Shqipëri aktualisht vazhdon procesi i vaksinimit për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.