Shqipëri, rritet në 38 numri i rasteve me koronavirus
Deri janë testuar 505 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitiv 38 raste me COVID-19
Tiranë
Në Shqipëri është rritur në 38 numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas ministrisë, deri tani janë testuar qindra raste, ndërsa vazhdon gjurmimi i kontakteve të rasteve të konfirmuara si pozitiv.
"Në 24 orët e fundit, nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e njësive vendore të kujdesit shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për identifikimin e rasteve dhe për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 505 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 38 raste", thuhet në njoftimin e ministrisë.
Nga rastet e konfirmuara, 22 janë në Tiranë, nga 5 në Durrës (njëra ka ndërruar jetë) dhe Fier, nga 2 raste në Lushnje, Elbasan dhe Rrogozhinë.
Një 73-vjeçare humbi jetën më 11 mars në Shqipëri e cila ishte e konfirmuar si paciente e prekur me koronavirusin e ri, duke shënuar viktimën e parë në vend nga COVID-19.
Masat kundër përhapjes së koronavirusit në Shqipëri
Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, ku patrullat policore në bashkëpunim me patrullat ushtarake janë angazhuar në pika kontrolli në disa qytete të vendit.
Në kuadër të masave, është pezulluar transporti urban dhe qarkullimi i automjeteve private në Tiranë dhe Durrës dhe në disa qytete të tjera të vendit.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale ka njoftuar se nga nesër lokalet që janë të mbyllura në disa qytete aktualisht, do të mbyllen në të gjithë Shqipërinë.
Rama po ashtu ka njoftuar se nga sot mbyllen e hyrje-daljeve me Greqinë për udhëtarët e linjave të transportit ajror, detar dhe tokësor me autobus, ndërsa sipas tij, njëjtë si me Italinë, transporti i mallrave do të vijojë normalisht.
Gjithashtu është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve dhe linjave të transportit detar, nga Shqipëri në Itali dhe anasjelltas, ndërsa ky vendim prek vetëm transportin e pasagjerëve, pasi do të vijojnë lundrimet e anijeve tregtare dhe fluturimet e avionëve të mallrave.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shqipërisë, pikat e kalimit kufitar me Kosovën do të mbyllen për 14 ditë, ku duke filluar nga sot nuk do lejohet asnjë automjet dhe asnjë shtetas të hyjnë në Kosovë dhe anasjelltas, me përjashtim të rasteve sipas autorizimeve.
Është bllokuar lëvizja e shtetasve dhe mjeteve që duan të hyjnë apo të dalin nëpërmjet disa pikave të kalimit kufitar që lidhin Shqipërinë me Malin e Zi, ndërsa në njërën prej tyre do të vazhdojë lëvizja.
Në gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.
Në kudër të masave, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka pezulluar të gjitha aktivitetet futbollistike.
Kujtojmë se numri global i vdekjeve nga koronavirusi i ri ka shkuar në mbi 5.000, me rreth 145 mijë raste të konfirmuara. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.