BALLKANI

Shqipëri, rrjedhja e të dhënave personale të qytetarëve shkakton reagime

Gjatë dy ditëve të fundit në Shqipëri kanë qarkulluar në platformat e komunikimit online të dhënat personale të qindra mijëra qytetarëve të vendit, duke përfshirë numrin personal ID

Fatjon Cuka  | 23.12.2021 - Përdıtësım : 24.12.2021
Shqipëri, rrjedhja e të dhënave personale të qytetarëve shkakton reagime Foto: Kryeministria e Shqipërisë

Tiranë

Rrjedhja dhe qarkullimi në platformat e komunikimit online të një baze të dhënash personale të qytetarëve të Shqipërisë të punësuar në sektorin publik dhe privat, ka shkaktuar reagime të shumta të qytetarëve dhe zyrtarëve në vend, raporton Aanadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se rasti në fjalë është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht. Sipas tij, nga analizat paraprake ngjan shumë më tepër si ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm dhe jo nga infiltrimi i jashtëm në formën e një sulmi kibernetik.

"Në radhë të parë do t'ju kërkoj një ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private. Kjo është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht. U bëj thirrje organeve ligjzbatuese, prokurorisë, që ta kryejnë këtë hetim me të gjithë kapacitetet e tyre", tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se në këndvështrimin e tij “këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për t’u kuptuar, për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet".

"Këtu analizat paraprake tregojnë që eventualiteti i një sulmi kibernetik është minimal dhe eventualiteti i një ndërhyrjeje nga brenda në sistem, pra i një infiltrimi përmes individësh është shumë i lartë. Në këtë rast është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëhet një hetim i thellë, një hetim me ekspertë të fushës, sepse nuk është një hetim i zakonshëm", u shpreh Rama.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karcanaj, në konferencën me kryeministrin Rama tha se platforma E-Albania (portali unik qeveritar) është një sistem i sigurt dhe nuk ka lidhje me asnjë rrjedhje informacioni.

Në lidhje me qarkullimin e të dhënave personale gjatë dy ditëve fundit, kanë reaguar edhe zyrtarë të tjerë të vendit dhe institucione.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një reagim në rrjetet sociale ka theksuar se dalja në publik e listës me të dhënat e ndjeshme personale të 637.138 qytetarëve të punësuar, është "shkelje flagrante e lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të ligjeve dhe të Kushtetutës".

Ndërkohë, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Shqipërisë në një njoftim ka theksuar se ka nisur punën për sigurimin e kësaj baze të dhënash dhe për identifikimin e shkeljeve të mundshme.

Zyra e Komisionerit u ka bërë thirrje të gjithë individëve apo subjekteve publike dhe private që disponojnë këtë bazë të dhënash personale, të mos e transmetojnë, qarkullojnë apo publikojnë.

Gjatë dy ditëve të fundit në Shqipëri kanë qarkulluar në platformat e komunikimit online të dhënat personale të qindra mijëra qytetarëve të vendit, duke përfshirë numrin personal ID, si dhe të dhëna mbi pagën dhe institucionet ku janë të punësuar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın