BALLKANI

Shqipëri, shënohet Dita e Mësuesit

Nxënësit e shkollave në vend kanë uruar mësuesit tyre, por nuk kanë munguar edhe dhuratat e ndryshme, ndërkohë në Tiranë dhe qytete të tjera janë organizuar aktivitete

Fatjon Cuka  | 07.03.2025 - Përdıtësım : 08.03.2025
Shqipëri, shënohet Dita e Mësuesit Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Shqipëri sot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, ku në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit janë organizuar aktivitete dhe takime të ndryshme, raporton Anadolu.

Nxënësit e shkollave në vend kanë uruar mësuesit tyre, por nuk kanë munguar edhe dhuratat e ndryshme.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një pritje në nderim të mësuesve në pension, që kanë shërbyer në arsim ndër vite në zona të ndryshme të Shqipërisë.

"Presidenti i Republikës uroi festën e 7 Marsit, duke shprehur mirënjohje dhe vlerësim për mundin, përkushtimin dhe kontributin që mësuesit shqiptarë kanë dhënë në përgatitjen dhe formësimin e brezave duke përçuar dije, edukim e frymëzim për realizimin e ëndrrave", thuhet në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë.

Me rastin e Ditës së Mësuesit në Pallatin e Brigadave në Tiranë është organizuar ceremonia e vlerësimit për mësuesit që kanë dhënë kontribut në arsimin shqiptar, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe zyrtarëve të tjerë.

"Më vjen jashtëzakonisht mirë sot që më jepet mundësia të adresoj këtë audiencë me një përfaqësi të atyre grave e burrave, vajzave e djemve që kujdesen për fëmijët e Shqipërisë në të gjithë territorin e vendit tonë dhe besoj që e di shumë mirë se sa e vështirë duhet të jetë puna juaj në kushtet kur shumëçka ka ndryshuar për mirë, por dhe kushtet kur shumëçka tjetër ndryshon me shpejtësi marramendëse për shkak të teknologjisë", tha Rama gjatë ceremonisë.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të vendit dhe drejtues të institucioneve të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit me rastin e 7 Marsit.

Dita e Mësuesit përkon me hapjen e shkollës së parë shqipe, më 7 mars 1887 në qytetin e Korçës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın