BALLKANI

Shqipëri, TIKA vazhdon mbështetjen për familjet në nevojë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka ofruar fara të misrit, jonxhës dhe fasules dhe plehra kimike për 50 familje të jetimëve në disa bashki të Shqipërisë

Fatjon Cuka  | 20.03.2025 - Përdıtësım : 21.03.2025
Shqipëri, TIKA vazhdon mbështetjen për familjet në nevojë Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon të ofrojë ndihmë për familjet në nevojë në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, raporton Anadolu.

TIKA ka organizuar sot shpërndarjen e ndihmave për dhjetëra familje me fara të ndryshme si dhe plehra kimike për familjet e fëmijëve jetimë në Tiranë dhe Lushnjë, projekt i realizuar në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR.

I pranishëm gjatë shpërndarjes së këtyre ndihmave në Qarkun e Tiranës ishte edhe ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, i cili në një deklaratë për Anadolu tha se me projektin e TIKA-s synojnë që të angazhojnë më tepër gratë në bujqësi dhe në të njëjtën kohë të ofrojnë mbështetje për familjet në nevojë.

"Ndiej një kënaqësi shumë të madhe që po shpërndajmë sot në emër të popullit turk këto ndihma dhe që kemi pasur dhe mundësinë që sadopak ta lehtësojmë jetën tuaj (të familjeve në nevojë)", tha Atay.

Ambasadori Atay u shpreh ndër të tjera se Türkiye është në mbështetje të popullit shqiptar me të gjitha institucionet e saj në Shqipëri.

Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, u shpreh se në kuadër të këtij projekti do të ofrojnë mbështetje për 50 familje në nevojë.

"Nëpërmjet këtyre farave do t'u gjendemi në ndihmë familjeve në qytetin e Tiranës, Fierit, Lushnjës dhe Elbasanit dhe fshatrat përreth tyre. Jemi shumë të gatshëm gjithmonë që të ofrojmë sadopak mbështetje për lehtësimin e jetës së këtyre familjeve", tha Ata.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, theksoi se këto projekte janë shumë të nevojshme.

"Unë dua të falënderoj TIKA-n dhe ambasadën turke për mbështetjen që u japin gjithmonë këtyre familjeve. Është një projekt në vazhdimësi, prej vitesh që bëhet, për të iu ardhur në ndihmë familjeve të jetimëve që zotërojnë tokë bujqësore", tha Gurra.

Në kuadër të këtij projekti TIKA ka ofruar fara të misrit, jonxhës dhe fasules për 50 familje të jetimëve në disa bashki të Shqipërisë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın