Shqipëri, YTB organizon takim me studentët shqiptarë të diplomuar në Türkiye
Ambasadori turk, Tayyar Kağan Atay, në fjalën e tij tha se është një gjë e mirë të përfitohet nga mundësitë që ofrojnë institucionet arsimore në Türkiye dhe se kjo duhet vlerësuar
Me rastin e 10-vjetorit të programit të Bursave të Türkiyes, Kryesia e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) ka organizuar një takim me studentë shqiptarë të diplomuar në Türkiye, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të institucioneve turke, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, kryetari i YTB-së, Abdullah Eren, drejtues të Shoqatës së të Diplomuarve në Türkiye të Shqipërisë (TUMED), përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe të diplomuar nga Shqipëria në Türkiye.
Ambasadori turk, Atay, në fjalën e tij tha se është një gjë e mirë të përfitohet nga mundësitë që ofrojnë institucionet arsimore në Türkiye dhe se kjo duhet vlerësuar.
Sipas tij, të diplomuarit në Türkiye janë “ambasadorë nderi”. “Ju flisni për Türkiye-n brenda shoqërisë vëllazërore shqiptare, korrigjoni disa paragjykime nëse ka, i shpjegoni, është shumë e rëndësishme, prandaj në fakt ju shoh si kolegë dhe në këtë aspekt dyert e ambasadës sonë janë gjithmonë të hapura për ju”, u shpreh ai.
Atay deklaroi se marrëdhëniet mes Türkiye-s dhe Shqipërisë janë të veçanta, duke vazhduar: “Këto nuk janë marrëdhënie që gjenden kudo dhe shumë të zakonshme në komunitetin ndërkombëtar. Ajo që na bën të ndryshëm është se të dy komunitetet kanë ecur krah për krah për shekuj. Ne jemi dy kombe të mëdha vëllezër. Ne kemi ecur së bashku me shekuj, kemi qenë vëllezër me njëri-tjetrin dhe të gjitha këto vështirësi i kemi përballuar bashkë ndër shekuj. Prandaj jemi këtu për të ndërtuar së bashku edhe të ardhmen”.
Kryetari i YTB-së, Eren, në fjalimin e tij në aktivitet, rikujtoi se Bursat e Türkiye-s jepen nga vitin 2012 nga YTB, ndërsa paraardhësi i këtij projekti është ai i vitit 1992, me emrin Projekti i Madh i Bursave.
Me rastin e 10-vjetorit të Bursave të Türkiye-s, ai tha se janë duke organizuar takime me studentë të diplomuar në vende të ndryshme, ndërsa theksoi se kanë një kapacitet shumë serioz të të diplomuarve në Shqipëri.
Ai u shpreh se të diplomuarit e Türkiye-s në Shqipëri gjenden në fusha të ndryshme. “Duam që të jenë në vende të mira në politikë, burokraci, akademi, botën e biznesit. Kemi të diplomuar në pozita të mira. Në këtë kuadër, këtë kapacitet e shohim si një mundësi për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, u shpreh Eren.
Sipas tij, janë duke realizuar punime për të zhvilluar marrëdhëniet e rreth 150 mijë të diplomuarve me Türkiye, duke shtuar se në vitin 2017 kanë organizuar një takim të madh të të diplomuarve me temën “Sërish Türkiye dhe se në këtë drejtim kanë krijuar shoqatat diplomuarish në vende të ndryshme.
Eren theksoi se Shqipëria ka një rendësi të veçantë për Türkiye-n. “Sepse për Türkiye-n Shqipëria është një ndër vendet më të rëndësishme në Ballkan. Populli i Shqipërisë është një ndër popujt më të rëndësishëm”, tha ai.
Kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Türkiye të Shqipërisë (TUMED), Egert Haxhiu, tha se TUMED është përpjekur të bashkojë miqtë që kanë marrë arsimin e lartë në Turqi dhe të forcojnë lidhjet.
"Ne vazhdojmë dhe do t'i vazhdojmë punimet tona në këtë rrugë. Njerëzit në mbarë botën mund të takohen në raste të ndryshme dhe të ndajnë shumë gjëra në globalizëm. Shohim se në një vend të veçantë në zemrat tona janë buzëqeshjet e këndshme të vëllezërve tanë turq dhe ne jemi të lumtur”, tha Haxhiu.
Haxhiu shtoi se "Dëshiroj të falënderoj të gjithë popullin turk dhe të diplomuarit tanë. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia për ambasadorin tonë të Republikës së Türkiyes dhe ekipin e tij për mbështetjen e tyre që nuk ka munguar, për TIKA-n, Fondacionin Turk Maarif, menaxherët dhe punonjësit e nderuar të Institutit ‘Yunus Emre’, dhe veçanërisht Presidentin tonë të YTB-së, Abdullah Eren dhe miqtë e mi të diplomuar".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.