BALLKANI

"Shqipëria është në rrugën e duhur për t'u bërë shtet anëtar i BE-së”

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, mbështetjen e BE-së dhe çështje të tjera

Fatjon Cuka  | 23.10.2024 - Përdıtësım : 24.10.2024
"Shqipëria është në rrugën e duhur për t'u bërë shtet anëtar i BE-së” Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, në kuadër të turneut të saj të vizitave në disa vende të Ballkanit, raporton Anadolu.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, duke u fokusuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, mbështetjen e BE-së dhe çështje të tjera.

Në fjalën e tij Rama tha se ka një gjë për të cilën shqiptarët nuk kanë asnjë debat, sipas tij, që vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Evropian dhe që e ardhmja e fëmijëve duhet të ndërtohet në BE.

Duke iu referuar hapjes së negociatave për grup-kapitujt e parë mes BE-së dhe Shqipërisë, Rama tha se Shqipëria ka hyrë një fazë të re, duke shtuar se skuadra e Shqipërisë për negociatat ka treguar në Bruksel që është në lartësinë e duhur për t'u përballur me këtë sfidë të re.

Në lidhje me procesin e negociatave Rama tha se "Ne e dimë që është një sfidë që nuk shkon duke u bërë më e lehtë, shkon duke u bërë më e vështirë, sepse tanimë bëhet fjalë për një sërë detyrash".

"Jam këtu bashkë me ju (Von der Leyen) edhe për të konfirmuar dhe afirmuar të gjitha ato që Shqipëria i ka demonstruar në këtë rrugë të përbashkët në aspektin e të qëndruarit krah për krah me Bashkimin Evropian, linjëzuar njëqind për qind me politikën e jashtme të BE-së, e përfshirë pa kursim në gjitha proceset, në gjitha ato që janë vlera, por edhe sfida që na bashkojnë. E gjithë kjo qasje e Shqipërisë vetëm do të forcohet dhe do të konsolidohet në vijim", u shpreh Rama.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Shqipëria është në rrugën e duhur për t'u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Duke folur për hapjen e negociatave për grup-kapitujt e parë mes BE-së dhe Shqipërisë, ajo theksoi se kjo është sukses që vjen si rrjedhojë e shumë viteve me shumë punë, por sipas saj dhe përkushtim "për këtë objektiv të përbashkët".

"Zgjerimi do të vazhdojë te jetë përparësi e lartë edhe në mandatin tim të ardhshëm, sepse ne tani i kemi të gjithë mekanizmat në dispozicion, kështu që duhet bërë punë e mirë. Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Por edhe partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po vënë në zbatim reforma të rëndësishme dhe këto reforma mbështeten nga ne me anën e investimeve shtesë evropiane", tha ajo.

E pyetur për marrëveshjen Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit, ajo tha se "që prej fillimit ne kemi qenë tejet të qartë, që po monitorojmë zhvillimet në lidhje me këtë marrëveshje, por kjo është një marrëveshje dypalëshe. Pra ne nuk bëjmë komente për të, por monitorojmë zhvillimet e kësaj marrëveshjeje".

Rama dhe Von der Leyen, gjithashtu morën pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Më 15 tetor të këtij viti u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın