Shqipëria në prag të zgjedhjeve parlamentare me sistem të ri zgjedhor dhe nën kushtet e pandemisë
Risia e këtyre zgjedhjeve është fushata dhe procesi i votimit nën kushtet e pandemisë, sistemi i ri zgjedhor,votimi dhe numërimi elektronik që do të aplikohet si projekt pilot në një nga zonat zgjedhore në Tiranë dhe konkurrimi i disa partive të reja
Tiranë
Fushata zgjedhore në Shqipëri zyrtarisht mbyllet sot dhe votuesit më 25 prill do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë, në zgjedhjet e dhjeta parlamentare në vend që pas përmbysjes së regjimit komunist, raporton Anadolu Agency (AA).
Që nga viti 1991 pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri e deri tani janë mbajtur 9 zgjedhje të përgjithshme parlamentare, dy prej tyre zgjedhje të parakohshme, ndërkohë deputetët janë zgjedhur duke u aplikuar disa sisteme zgjedhore të ndryshme në periudhën 1991-2017.
Në Shqipëri janë zbatuar sistemet maxhoritar, proporcional rajonal me lista të mbyllura dhe sistemi miks (maxhoritar me korrektim proporcional kombëtar).
Zgjedhjet me sistem të ri zgjedhor dhe reformim të KQZ-së
Risia e këtyre zgjedhjeve është fushata dhe procesi i votimit nën kushtet e pandemisë, sistemi i ri zgjedhor, votimi dhe numërimi elektronik që do të aplikohet si projekt pilot në një nga zonat zgjedhore në Tiranë dhe konkurrimi i disa partive të reja.
Reforma zgjedhore e cila u finalizua në vitin 2020 pas një punë disa vjeçare nga Kuvendi i Shqipërisë solli edhe një administratë të reformuar që administron procesin zgjedhor dhe miraton vendimet për këtë proces. Kështu sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, organet e reja drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) janë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Një risi tjetër është edhe sistemi zgjedhor. Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 25 prill do të zbatohet sistemi proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar që është 1 për qind në shkallë vendi për të zgjedhur 140 deputetët e Kuvendit. Sipas sistemit të ri, votuesit përveç partisë, do të votojnë edhe për kandidatin e tyre të preferuar bazuar në listën e depozituar nga partitë politike.
Fushatë dhe zgjedhje nën kushtet e pandemisë
Zgjedhjet e 25 prillit mbahen pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjes mes shumicës parlamentare dhe partive opozitare që dorëzuan mandatet e deputetëve në shkurt të vitit 2019 me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë, 3.588.869 qytetarë shqiptarë kanë të drejtën të votojnë në zgjedhjet parlamentare, ndërsa 107.024 të rinj do të votojnë për herë të parë.
Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, janë regjistruar gjithsej dy koalicione zgjedhore, Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim (PD-AN), i cili udhëhiqet nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe përbëhet nga 13 parti që garojnë me një listë të vetme si koalicion dhe koalicioni Aleanca Bashkimi Popullor – Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët (ABEOK), i përbërë nga 4 parti politike.
Gjithashtu përveç koalicioneve, 10 parti politike garojnë më vete, përfshirë edhe partinë në pushtet, Partinë Socialiste të Shqipërisë (PS) dhe 5 kandidatë të propozuar nga zgjedhësit në disa qytete.
Në zgjedhje garojnë 1.841 kandidatë për deputetë, ku 39,76 për qind e tyre janë femra, në 12 zona zgjedhore që korrespondojnë edhe me qarqet e vendit si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Kukës dhe Lezhë.
Fushata për zgjedhjet parlamentare zyrtarisht filloi më 25 mars, ndërsa ajo u karakterizua nga takime në formate të ndryshme nga mitingjet elektorale të zgjedhjeve të kaluara, për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19.
Pavarësisht pandemisë, partitë politike organizuan fushatën zgjedhore, duke shpalosur programet dhe premtimet e tyre, me takime me pjesëmarrje të kufizuar të qytetarëve në pothuajse të gjitha qytetet dhe fshatrat e vendit.
Nga ana tjetër, gjatë ditës së zgjedhjeve do të jenë në fuqi masat aktuale kundër COVID-19. Në fuqi do të jenë masat për mbajtjen e maskës, ruajtjes e distancës, ndalimi i grumbullimeve masive, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe aktivitetit të restoranteve nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.
Për personat e infektuar me koronavirus që ndodhen në karantinë apo trajtim spitalor, sipas KQZ-së ky institucion nuk e ka sistemin dhe procedurën e dërgimit të kutisë së votimit në shtëpinë e atyre votuesve që për arsye të ndryshme nuk e kanë të mundur të dalin nga banesa (Deri më 22 prill 24.168 raste aktive me COVID-19).
Prioritetet kryesore në programin e partive
Zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2017 i fitoi e vetme Partia Socialiste e Shqipërisë (74 mandate nga 140 gjithsej), e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, si mandatin e dytë qeverisës.
Slogani i partisë në pushtet për zgjedhjet e këtij viti, e cila kërkon një mandat të tretë qeverisës është "Shqipëria e ardhmja jonë", ndërsa si kandidat për kryeministër është kreu i kësaj partie dhe kryeministri aktual, Edi Rama.
Programi elektoral i PS-së i quajtur edhe "Planin e veprimit 2021-2025", prezantuar nga kryeministri Rama në takimet elektorale në qytete e vendit është konsideruar nga kjo parti si një program qeverisës për të jetësuar sipas saj vizionin "Shqipëria 2030".
Programi i PS-së fokusohet në sektorët e shëndetësisë, infrastrukturës, turizmit, arsimit, rindërtimin për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019, luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe ndërtimin e aeroporteve dhe porteve të reja turistike.
Sipas liderit të kësaj partie, kryeministrit Rama, "Shqipëria mund dhe do të bëhet kampione e krejt Ballkanit në turizëm, në agroturizëm, në energji dhe në digjitalizim".
Një aspekt tjetër është vazhdimi dhe mbyllja e procesit të rindërtimit për familjet që humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe lufta ndaj pandemisë COVID-19, me fokus vazhdimin e vaksinimit masiv të popullsisë.
Ndër premtimet e tjera kryesore të PS-së mund të përmendim edhe ndërtimin e një aeroporti në Vlorë dhe në Sarandë, synimin për pagën minimale 400 dollarë në muaj në fund të mandatit të tretë qeverisës dhe rritjen pagës mesatare të punonjësve të administratës.
Sipas partisë në pushtet, pagat e mësuesve do të rriten edhe 40 për qind më shumë, po ashtu 40 për qind më shumë do rriten dhe pagat e punonjësve të shëndetësisë, dhe do të mbështeten projekte të reja në turizëm, në shërbimet digjitale dhe prodhimet "Made in Albania".
Sa i përket prioriteteve në fushën e arsimit, PS ka premtuar se mandati i tretë do të sjellë fundin e mësimit me dy turne, si dhe mbështetjen e universitetet publike për hapjen dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit me universitetet e Bashkimit Evropian (BE).
Shqipëria aktualisht është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) që nga viti 2014 dhe është në pritje të fillimit zyrtar të negociatave për anëtarësimin. Ndërkohë Partia Socialiste synon vazhdimin dhe konsolidimin e reformave në disa sektorë, me fokus si ajo në fushën e institucioneve të drejtësisë, administratën publike, shërbimet digjitale, shëndetësi dhe sektorë të tjerë, për të përshpejtuar edhe procesin e integrimit evropian të vendit.
Ndërkohë, partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), e cila mbështet në këto zgjedhje nga disa parti të tjera opozitare nën një koalicion ka si slogan "Shqipëria fiton". Kandidati i PD-së për kryeministër të vendit është kryetari i kësaj partie Lulzim Basha, i cili e drejton partinë opozitare për rreth 8 vite.
Sipas Partisë Demokratike të Shqipërisë, programi i saj përfshin "rimëkëmbjen ekonomisë, shërimin e plagëve nga papunësia, kthimin e të rinjve në krahët e Shqipërisë, integrimin në Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimin e infrastrukturës dhe arsimit".
Sa i përket sektorit të ekonomisë, PD ka premtuar uljen e taksave për bizneset dhe individët, duke aplikuar një taksë të sheshtë 9 për qind. Gjithashtu ka premtuar uljen e papunësisë me hapjen e 110 mijë vendeve të reja të punës. Ndër premtimet e partisë opozitare është edhe rritja e pensioneve dhe ulja e çmimit të energjisë.
Një tjetër sektor ku është fokusuar fushata e PD-së është edhe shëndetësia, duke premtuar rritjen në 700 euro pagat e infermierëve dhe 1.200 euro pagat e mjekëve, rritjen e numrit të mjekëve dhe riorganizimin e shërbimit shëndetësor publik.
Ndërsa sa i përket arsimit partia më e madhe opozitare në vend ka premtuar tekste të reja mësimore për të gjithë nxënësit, rritje 60 për qind e pagës së mësuesve deri në 700 euro dhe rritjen e pagave të pedagogëve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.