Fatjon Cuka
04 Qershor 2020•Përditësim: 05 Qershor 2020
Në Shqipëri janë regjistruar edhe 13 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e rritur numrin e përgjithshëm të rasteve në 1.197, transmeton Anadolu Agency(AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë kryer 282 testime dhe rastet pozitive mes tyre edhe personel shëndetësor janë konfirmuar në Tiranë, Krujë dhe Shkodër.
Aktualisht janë 266 persona aktivë me COVID-19, ku në Tiranë janë mbi 68 për qind e të prekurve, kurse pjesa tjetër janë kryesisht në Durrës, Kamëz dhe Krujë.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik. Rreth 8 për qind e të prekurve aktivë po trajtohen në spital, kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes”, theksohet në njoftimin e ministrisë.
Rreth 75 për qind e të prekurve janë shëruar dhe gjithsej 33 persona kanë humbur jetën nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.
Për shkak të COVID-19 në Shqipëri vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore e cila është në fuqi deri më 23 qershor dhe vazhdojnë disa nga masat.
Prej disa javësh në vend ka filluar lehtësimi i masave që u vendosën në të gjithë vendin kundër përhapjes së koronavirusit.