Fatjon Cuka
03 Qershor 2020•Përditësim: 03 Qershor 2020
Në Shqipëri vazhdojnë të regjistrohen raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), pasi janë konfirmuar edhe 20 të infektuar të tjerë, transmeton Anadolu Agency(AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë kryer 297 testime dhe rastet pozitive janë konfirmuar në Tiranë, Krujë, Durrës dhe Kamëz.
Me rastet e reja përfshirë edhe personel shëndetësor, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive në Shqipëri është rritur në 1.184.
“Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte të rasteve të zbuluara nga hetimi i kryer, dhe disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik”, theksohet në njoftimin e ministrisë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e rritur në 898 numrin e të shëruarve, ndërkohë aktualisht 253 persona janë aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.
Deri tani në Shqipëri janë kryer gjithsej 16.817 testime dhe 33 persona kanë humbur jetën nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.
Për shkak të COVID-19 në Shqipëri vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore e cila është në fuqi deri më 23 qershor dhe vazhdojnë disa nga masat.
Prej disa javësh në vend ka filluar lehtësimi i masave që u vendosën në të gjithë vendin kundër përhapjes së koronavirusit.