Fatjon Cuka
14 Dhjetor 2020•Përditësim: 15 Dhjetor 2020
Në Shqipëri vazhdojnë në ditën e gjashtë protestat për vdekjen e të riut pas ndjekjes nga policia, pavarësisht thirrjeve të policisë që të mos organizohen grumbullime në kuadër të masave kundër pandemisë COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).
Me sloganin "Pa drejtësi nuk ka qetësi", protestuesit janë mbledhur fillimisht në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë dhe më pas kanë marshuar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", për të ndaluar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.
Protesta e cila ka vazhduar pa tensione është mbështetur edhe nga aktivistë të shoqërisë civile, ndërkohë një grup i protestuesve përveç thirrjeve “Drejtësi për Klodianin” kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes ku mbeti i vdekur 25-vjeçari, shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu dhe lirimin e personave të arrestuar gjatë protestave të kaluara.
Ashtu si në protestat e kaluara, janë angazhuar qindra forca të policisë, për të ruajtur godinat e institucioneve.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në protestat që filluan më 9 dhjetor janë lënduar mbi 40 policë, ku 5 prej tyre rëndë. Gjithashtu gjatë protestave janë lënduar edhe qytetarë, ku dhjetëra prej tyre janë ndikuar nga gazi lotsjellës.
Për protestat e kaluara që u shoqëraun me akte dhune dhe tensione, sipas policsë janë arrestuar 130 persona deri tani, ku një pjesë e tyre edhe janë liruar nga gjykatat.
Protestat vazhdojnë prej disa ditësh, pavarësisht masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), ku ndalohen grumbullimet me mbi 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura.
Ngjarja në të cilën humbi jetën i riu
Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari Klodian Rasha ka ndodhur më 8 dhjetor në Tiranë në orarin që përkonte edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Sipas autoriteteve të Shqipërisë, pas thirrjes për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit të policisë dhe ka tentuar të largohet. Gjatë ndjekjes ai është plagosur dhe më pas ka humbur jetën në spital.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta të zyrtarëve, partive politike, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Për punonjësin e policisë Nevaldo Hajdaraj i cili akuzohet se gjatë shërbimit ka qëlluar me armën e shërbimit të riun, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën "arrest me burg".
Në lidhje me ngjarjen ku mbeti vdekur i riu, dha dorëheqje ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj.