Saimir Alija
14 Mars 2019•Përditësim: 15 Mars 2019
Nëpërmjet disa aktiviteteve të ndryshme në të gjithë Shqipërinë është shënuar sot Dita e Verës, e cila kremtohet si festë zyrtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Festa e Ditës së Verës e ka origjinën në qytetin e Elbasanit, por festime organizohen në të gjitha qytetet e vendit.
Bashkia e Elbasanit ka hapur festimet që mbrëmjen e 13 marsit, ku në sheshin kryesor të qytetit u organizua koncerti tradicional i përvitshëm, ndërsa ishin të pranishëm mijëra qytetarë nga i gjithë vendi, të cilët e pritën ardhjen e Ditës së Verës në shesh, duke festuar dhe ndjekur spektaklin e fishekzjarrëve.
Gjatë ditës së sotme kanë vijuar festimet, ku që në orët e para të mëngjesit janë organizuar disa aktivitete, si koncerte, panaire me produktet artizanale, aktivitete sportive dhe kulturore.
Ashtu si çdo vit në Elbasan është hapur edhe Panairi tregtar “Dita e Verës”, ku mbi 50 biznese prezantuan produktet e tyre.
Panairi i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Bashkia e Elbasanit edhe këtë vit priti vizitorë të shumtë.
Panairin e vizitoi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe përfaqësues të partive politike.
Gjithashtu në Elbasan me rastin e Ditën e Verës është hapur për të tretin vit radhazi edhe Panairi i Librit, ku stendat e panairit janë vizituar nga vizitorë të shumtë, të cilët patën mundësi të njiheshin me botimet më të reja.
Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë pagane, ku qyteti i Elbasanit e ka ruajtur këtë traditë ndër shekuj. Festa simbolizon fundin e dimrit dhe ardhjen e pranverës, ndërsa ëmbëlsira tradicionale e saj është ballokumja.