BALLKANI

Shqipëri, KQZ diskuton mbi rregullat për regjistrimin e zgjedhësve jashtë vendit

Projektvendimi është hartuar në mbështetje të ndryshimeve të fundit Kodit Zgjedhor, me qëllim përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë territorit të Shqipërisë

Fatjon Cuka  | 18.10.2024 - Përdıtësım : 18.10.2024
Shqipëri, KQZ diskuton mbi rregullat për regjistrimin e zgjedhësve jashtë vendit Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë ka diskutuar në mbledhjen e sotme mbi projektvendimin "Për miratimin e rregullave për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve", raporton Anadolu.

Projektvendimi është hartuar në mbështetje të ndryshimeve të fundit Kodit Zgjedhor të Shqipërisë, me qëllim përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Sipas relacionit të KQZ-së, procedurat për regjistrimin dhe votimin nga jashtë vendit duhet të jenë efektive, duke synuar që vota e çdo shtetasi të realizohet në kohë dhe pa pengesa të panevojshme.

Gjithashtu theksohet se çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, pavarësisht vendndodhjes së tij jashtë territorit të Shqipërisë, duhet të ketë mundësi të barabarta për të votuar.

Ndërkohë, projektvendimi përcakton gjithashtu rregulla të përgjithshme sa i takon procesit të regjistrimit të zgjedhësve dhe institucionit kompetent për të administruar këtë proces.

Diskutimet për këtë projektvendim kanë vazhduar për disa orë, ndërkohë në një nga mbledhjet e ardhshme pritet të miratohet.

Sipas Kodit Zgjedhor të Shqipërisë, zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.

Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit përfshin vetëm zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit, të cilët deklarojnë vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit, sipas rregullave të miratuara nga institucionet.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri do të mbahen në vitin 2025, ndërkoha data e mbajtjes së tyre ende nuk është caktuar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın