Shqipëri, mbahet koncerti i muzikës së xhazit turk "Fllade nga Anadolli"
Aktiviteti u organizua nga Instituti "Yunus Emre" - Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën turke në Tiranë dhe Universitetin e Arteve të Shqipërisë, ndërkohë performuan artistët Anıl Şallıel dhe Mareechi Asu, së bashku me ekipin e tyre
Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur koncerti i muzikës së xhazit turk "Fllade nga Anadolli", në kuadër të turneut ballkanik, raporton Anadolu.
Aktiviteti kulturor është organizuar nga Instituti "Yunus Emre"-Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën turke në Tiranë dhe Universitetin e Arteve të Shqipërisë, ndërkohë performuan artistët Anıl Şallıel dhe Mareechi Asu, së bashku me ekipin e tyre të muzikës xhaz.
Në koncertin e organizuar në ambientet e Universitetit të Arteve në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, shefja e Zyrës për Marrëdhëniet me Jashtë në Institutin "Yunus Emre", Zeynep Ertürk, drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oğuzhan Sakoğlu, rektor i Universitetit të Arteve, Erald Bakalli, përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe organizatave turke, pedagogë, studentë dhe artdashës.
Në fjalën e tij në hapje të aktivitetit, Sakoğlu përcolli përshëndetjet e kryetarit të Institutit "Yunus Emre", Prof. Dr. Abdurrahman Aliy. Ai tha se në koncert perfermohet kolazh dhe buqete muzikore nga qytetet turke.
"Në muajin dhjetor të këtij viti ne festojmë 15-vjetorin e themelimit të Institutit ‘Yunus Emre’ në Tiranë. Misioni parësor i institutit është promovimi dhe mësimdhënia për gjuhën turke. Por krahas kësaj organizojmë edhe aktivitete kulturore, artistike dhe sociale", tha Sakoğlu.
Rektori Bakalli në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se kërkojnë të "afrojmë njëri-tjetrin me frymën vëllazërore që e kemi të trashëguar". "Ndihem i lumtur që pikërisht ky koncert sot i muzikës xhaz ‘Fllade nga Anadolli’ po kryhet në Universitetin e Arteve", tha Bakalli.
Şallıel u shpreh se sonte realizojnë koncertin e stacionit të nëntë në turneun e tyre ballkanik. "Ne sonte jemi këtu për të performuar në formë muzikore sloganin dhe mesazhin botëror të Yunus Emre 'Ejani të njihemi'", tha Şallıel.
Asu në fjalën e tij u shpreh se me koncertin sjellin kulturën e vyer, muzikën dhe poezinë e Anadollit. "Kjo muzikë dhe poezi e Anadollit mbart mesazhin e unitetit dhe dashurisë", tha Asu.
Gjatë ditës së sotme artistët Şallıel dhe Asu, si dhe drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Sakoğlu, mbajtën edhe një konferencë për mediat mbi koncertin
Ndërkohë i njëjti koncert u mbajt edhe në qytetin e Shkodrës më 20 dhjetor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.