BALLKANI

Shqipëri, mbahet konferenca mbi programet e strehimit social

"Ne duam që ta dhjetëfishojmë mundësinë që qytetarët shqiptarë do të kenë për të gjitha programet e strehimit social", tha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja

Fatjon Cuka  | 18.03.2025 - Përdıtësım : 18.03.2025
Shqipëri, mbahet konferenca mbi programet e strehimit social Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e Shqipërisë ka organizuar konferencën mbi prezantimin e programeve të strehimit social, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, raporton Anadolu.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, theksoi gjatë fjalës së tij se strehimi është një e drejtë jetike e familjes dhe njeriut.

Ministri Gonxhja tha ndër të tjera se do ta dhjetëfishojnë shifrën e qeverisë për programet e strehimit social, për ta rritur në 75-80 milionë euro në nivel kombëtar.

"Ne duam që ta dhjetëfishojmë mundësinë që qytetarët shqiptarë do të kenë për të gjitha programet e strehimit social, nga banesat e reja, nga banesat me çmim të ulët, nga banesat me qira shumë të ulët, nga banesat me program kredie me interesa zero, nga banesat me program kredie me interesa shumë të ulta fikse", tha Gonxhja.

Arbjan Mazniku, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor në Qeverinë e Shqipërisë u shpreh se bashkitë janë në pararojën e këtij debati dhe sipas tij të gjitha bashkitë janë përditë përballë faktit që qytetarët kanë nevojë për strehim.

"Politikat e strehimit janë politika që në mënyrë specifike fokusohen tek kohezioni social dhe krijimi i një shoqërie që është më e ekuilibruar dhe që zhvillohet në mënyrë më të qenësishme", tha Mazniku.

Mazniku theksoi se në vitet e fundit kanë përfituar nga programet e strehimit rreth 35 mijë familje.

Sipas ligjit aktual të strehimit social, në Shqipëri zbatohen 6 programe të strehimit: Banesa sociale me qira, banesa me kosto të ulët, përmirësimi i kushteve të banesave ekzistuese, programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, programi për krijimin e banesave të përkohshme dhe programi i banesave të specializuara, me fokus tek personat me aftësi të kufizuara.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, deri në vitin 2030 synohet program 300 milionë euro për paketën e strehimit për familjet, studentët dhe emigrantët, duke mbështetur rreth 50 mijë familje.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.