Shqipëri, mbahet ministeriali i mbrojtjes i vendeve të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut
Ministeriali u bashkëdrejtua nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu dhe ndihmëssekretarja amerikane e Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, Celeste Wallander, ndërsa pjesë ishin edhe zyrtarë nga vendet e Ballkanit
Tiranë
Drejtuesit e ministrive të mbrojtjes të vendeve anëtare dhe vëzhguese të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatiku (A-5) u mblodhën në Tiranë, ndërkohë që në fokus të diskutimeve dyditore ishin çështjet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se ky ministerial u bashkëdrejtua nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ndihmëssekretarja amerikane e Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, Celeste Wallander, ndërsa pjesë ishin edhe zyrtarë nga vendet e Ballkanit.
"Teksa vlerësoi rëndësinë e këtij forumi, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i shprehu ndihmëssekretares së Mbrojtjes, Wallander mirënjohjen e qeverisë shqiptare për angazhimin e paçmuar të SHBA-së në zhvillimet politike, të sigurisë dhe atyre të mbrojtjes në vendin tonë, por gjithashtu në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor", thuhet në njoftim.
Ministri Vengu ndau në përfundim të këtij ministeriali temat kryesore të diskutimeve mes përfaqësuesve të lartë të Iniciativës SHBA - Karta e Adriatikut. “Patëm mundësi të ndaleshim mbi ndërlikimet në ambientin strategjik të sigurisë në kontinentin europian përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ministri i Mbrojtjes në deklaratën përbashkët, pas mbylljes së punimeve të ministerialit.
Sipas ministrisë, pjesë e diskutimeve të ministerialit të A-5 ishte edhe sulmi i fundit në veri të Kosovës: “Shqyrtuam një sërë rreziqesh dhe sfidash me karakter hibrid dhe një vëmendje të shtuar mori sulmi kriminal i pak ditëve më parë në Zubin Potok, ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Ndërkohë që gjej rastin të përsëris solidaritetin tonë me shtetin e Kosovës, të gjitha vendet dënuan këtë sulm të rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe kërkuan sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë”, theksoi ministri Vengu.
“Për ne anëtarësimi i Kosovës (në A-5) mbetet prioritet absolut, por dhe për të qenë më pro-aktiv në angazhime të përbashkëta në NATO, specifikisht në Forcat e Përparura të Aleancës në Evropën Juglindore”, ka theksuar ministri Vengu.
Shqipëria, Maqedonia (e Veriut), Kroacia dhe SHBA-ja, nënshkruan në maj 2003 “Kartën e Adriatikut”, që kishte si synim të promovonte dhe fuqizonte bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë, por edhe të rriste ndërveprimin dhe adoptimin e standardeve, nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta dhe aktiviteteve të bashkëpunimit të njësive respektive. Në dhjetor 2008, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina iu bashkuan zyrtarisht “Kartës së Adriatikut”, duke shndërruar iniciativën në A-5.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.