BALLKANI

Shqipëri, mbahet protestë kundër mbylljes së platformës TikTok

Me sloganin "Në mbrojtje të fjalës së lirë", qindra qytetarë kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", kundër mbylljes së platformës TikTok

Fatjon Cuka  | 15.03.2025 - Përdıtësım : 15.03.2025
Shqipëri, mbahet protestë kundër mbylljes së platformës TikTok Foto: Olsi Shehu/AA

Albania

Në Shqipëri është mbajtur një protestë kundër mbylljes së platformës TikTok, organizuar nga partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), raporton Anadolu.

Me sloganin "Në mbrojtje të fjalës së lirë", qindra qytetarë kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.

Me pankartat me mbishkrimet "Liria e fjalës, jo censurë", "Shqipëri 2025-ndalohet TikTok, lejohet korrupsioni", "E çove edhe TikTok-in në emigracion", protestuesit kanë kundërshtuar mbylljen e TikTok-ut.

Në fjalimet e tyre, disa nga të rinjtë protestues theksuan se po protestojnë për të drejtat e tyre dhe kundër censurës. Sipas PD-së, mbyllja e TikTok-ut është "një akt i rëndë censure”.

Pjesë e protestës ishin edhe kryetari i PD-së dhe ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë të opozitë dhe aktivistë.

Në një deklaratë për mediat pas protestës, duke iu referuar fjalimeve në protestë Berisha u shpreh se "Fjalë të tilla për fjalën e lirë janë të denja për të gjitha kohërat".

"Ishte një manifestim i jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve të rinj kundër censurës, për lirinë e fjalës dhe të mendimit", tha Berisha.

Vendimi për mbylljen e platformës TikTok

Më 6 mars të këtij viti, Qeveria e Shqipërisë miratoi vendimin për mbylljen e qasjes në TikTok për 12 muaj, ndërkohë më 13 mars u kërkua nga institucionet për të hyrë në fuqi zyrtarisht mbyllja.

Vendimi në fjalë është marrë pas vrasjes të një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij në nëntor të vitit 2024 dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.

Qeveria shqiptare ka vendosur ndërprerjen e qasjes në TikTok në territorin e Shqipërisë, sipas autoriteteve deri në momentin që kjo platformë të zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.

Më 18 nëntor të vitit 2024, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle në Tiranë mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos.

Kjo ngjarje shkaktoi reagime të organizatave të shoqërisë civile, partive politike dhe prindërve, si dhe protesta në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın