Fatjon Cuka
13 Shtator 2022•Përditësim: 14 Shtator 2022
Në Shqipëri me pjesëmarrjen e qindra personave është mbajtur një protestë antiqeveritare kundër "rasteve të korrupsionit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta është organizuar nën thirrjen e partisë opozitare, Partia e Lirisë, e cila drejtohet nga ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, sipas tyre, kundër korrupsionit në vend, duke iu referuar konkretisht çështjes së ndërtimit të inceneratorit të Tiranës, vendit ku është planifikuari përpunimi i mbetjeve.
Pjesë e protestës së mbajtur në periferi të Tiranës, pranë inceneratorit të Tiranës, ishin edhe deputetë të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, përfaqësues të partive të tjera opozitare dhe aktivistë të shoqërisë civile.
Sipas organizatorëve të protestës, "afera e inceneratorëve është kryevepra e korrupsionit dhe është vjedhja më e madhe që u është bërë qytetarëve shqiptarë".
Gjatë fjalës në protestë, Meta tha se "ne sot vazhdojmë denoncimin e aferës më të zezë".
"Jam i sigurt që përmes protestave qytetare do të rivendosim demokracinë, sepse në një vend ku institucionet kanë rënë për shkak të korrupsionit, për shkak të kapjes së shtetit, e vetmja mënyrë për të rivendosur demokracinë është ngritja e popullit", u shpreh kreu i Partisë së Lirisë.
Në muajit e fundit, partitë opozitare në vend kanë pretenduar se inceneratori i Tiranës është një "aferë korruptive" pasi sipas tyre “nuk funksionon, edhe pse janë bërë pagesa nga buxheti i shtetit”. Ato bëjnë thirrje edhe për hetime nga prokuroria, ndërsa kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera gjatë shtatorit.