Shqipëri, mbahet sërish protestë për "sigurinë e fëmijëve”
Protesta me moton "Institucionet e papërgjegjshme vrasin", organizuar nga prindër dhe aktivistë të shoqërisë civile në formën e një marshimi, ka mbledhur së bashku dhjetëra qytetarë
Tiranë
Në Shqipëri është organizuar sërish protestë me moton “Për jetën, sigurinë dhe arsimin e fëmijëve”, pas vrasjes së një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij, raporton Anadolu.
Protesta me moton "Institucionet e papërgjegjshme vrasin", organizuar nga prindër dhe aktivistë të shoqërisë civile në formën e një marshimi, ka mbledhur së bashku dhjetëra qytetarë, të cilët kanë kërkuar nga institucionet "më shumë mbrojtje, siguri dhe arsim cilësor për fëmijët".
Protestuesit janë mbledhur fillimisht pranë Shkollës Nëntëvjeçare "Fan Noli" në Tiranë dhe kanë marshuar drejt selisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Protestuesit mbanin në duar pankartat me mbishkrimet "Arsim i cunguar është i barabartë me diktaturë të garantuar", "Kush dëmton arsimin, i vret kombit të ardhmen", "Arsimi cilësor, themel i një kombi të shëndetshëm" dhe "Nëse nuk ndryshojmë sot, do të qajmë nesër".
Ndërkohë, në protestën e sotme, por edhe në protestat e kaluara protestuesit kanë bërë thirrje edhe për dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.
Pas ngjarjes ku mbeti i vdekur një nxënës janë organizuar disa protesta në Tiranë.
Në protestat e fundit është kërkuar edhe shtimi i buxhetit për arsimin në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), heqja e celularëve në orët e mësimit, rritja e sigurisë në shkolla dhe rritja e numrit të psikologëve në shkolla.
- Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë
Më 18 nëntor, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos. Kjo ngjarje shkaktoi reagime në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.
Në një reagim pas ngjarjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit theksoi se siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut i bashkëpunimit mes kësaj ministrie dhe institucioneve të tjera.
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi nisjen e një konsultimi dhe këshillimi publik me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat e vendit, lidhur me bllokimin e plotë të rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat.
Nisma në fjalë vjen pas vrasjes së 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij dhe pas rasteve të ndryshme të ekspozimit online të konflikteve mes të miturve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.