BALLKANI

Shqipëri, mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani tha se Shqipëria në presidencat e saj në disa nisma ka bërë përpjekjet më të mira për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal

Fatjon Cuka  | 20.11.2024 - Përdıtësım : 21.11.2024
Shqipëri, mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore Foto: MEPJ e Shqipërisë

Tiranë

Në Tiranë është mbajtur takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), në kuadër të presidencës shqiptare të kësaj nisme, raporton Anadolu.

Në hapje të ministerialit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani tha se Shqipëria në presidencat e saj në disa nisma ka bërë përpjekjet më të mira për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal, rritjen ekonomike, dialogun parlamentar dhe lehtësimin e procesit të integrimit në BE.

"Presidenca të tilla jo vetëm reflektojnë lidershipin e Shqipërisë, por dhe besimin tonë të palëkundur në fuqinë e bashkëpunimit, për të trajtuar sfidat e përbashkëta dhe mundësitë e reja. Ne do të vazhdojmë të mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe aspiratat evropiane të saj. Njëherësh, një nga prioritetet tona gjatë presidencës së CEI ka qenë integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian", tha ministri Hasani.

Sipas një njoftimi nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, gjatë ministerialit u diskutua dhe u shkëmbyen mendime mbi adresimin e sfidave aktuale të nismës.

Gjithashtu theksohet se sekretari i Përgjithshëm i CEI-t, Roberto Antonione, "vlerësoi presidencën shqiptare në këto kohë sfiduese".

Në përfundimit të ministerialit të CEI-it në Tiranë, vendet anëtare miratuan një deklaratë të përbashkët, teksti i së cilës nuk është bërë publik. Pas Shqipërisë, presidenca e CEI-it për vitin 2025 do t'i kalojë Serbisë.

Pjesë e takimit ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq dhe përfaqësues dhe drejtues të ministrive të jashtme nga vendet anëtare të nismës.

Qëllimet kryesore të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) fokusohen në nxitjen e integrimit evropian dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet bashkëpunimit rajonal.

Shqipëria është anëtare e nismës që prej vitit 1996 dhe ka presidencën e saj për vitin 2024.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın