Shqipëri, memorandum bashkëpunimi mes institucioneve për dekriminalizimin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Prokuroria e Përgjithshme gjatë aktivitetit nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, që ka si qëllim shkëmbimin e informacioneve mes institucioneve për zbatimin e ligjit për dekriminaliziminSaimir Alija
12 Mars 2019•Përditësim: 13 Mars 2019
TiranëMisioni i OSBE-së në Shqipëri organizoi sot një tryezë diskutimi për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme në vend, që kishte në fokus diskutimet për aspekte të veçanta rreth zbatimit të këtij ligji miratuar disa vite më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Shqipërisë dhe Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, gjatë aktivitetit nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në këtë fushë, që ka si qëllim shkëmbimin e informacioneve mes institucioneve për zbatimin e këtij ligji.
Në fjalën e tij, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, tha se institucionet e Shqipërisë duhet t’i japin prioritet akuzave për shitblerje votash, pasi sipas tij minojnë besimin e publikut.
“Akuzat politike për integritetin e shtetit minojnë besimin e publikut. Nxis pjesëmarrësit të fokusohen në dekriminalizimin e kandidatëve në zgjedhje. Siç theksohet në raportin e fundit të ODIHR-it, autoritetet duhet t’i japin përgjigje akuzave për shitblerje votash pasi është vënë në rrezik besimi i publikut”, tha Borchardt.
Ndërsa kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë (KQZ), Klement Zguri, tha se procesi i dekriminalizimit është një proces që ka produkt.
“Produkti i dekriminalizimit matet me vetëdijen ekstremisht të lartë të shoqërisë për politikën e pastër, me sensibilitetin e thellë ndaj fenomenit të kapjes, me vigjilencën shembullore të opinionit publik dhe intolerancën ndaj ofertës së kalbur dhe korruptive politike. Për shkak të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, tendenca e krimit për të pushtuar politikën dhe bashkëjetesa politike me kontingjentin kriminal duket se po shkon drejt fundit”, tha Zguri.
Sipas tij, proceset politike në vend nuk varen as nga KQZ dhe as nga Prokuroria e Përgjithshme. “Ne duhet të qëndrojmë publikisht në mbrojtje dhe në zbatim të ligjit, pa tolerancë, pa pazare dhe pa kompromis. Në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit ne e kemi treguar këtë vullnet dhe rezultatet sot janë evidente. Por ne nuk duhet të ndalojmë, të vetkënaqemi apo të pretendojmë se beteja mbaroi. Dekriminalizimi nuk është fushatë, nuk lejon pushim. Dekriminalizimi është katarsis për politikën dhe për shoqërinë”, deklaroi Zguri.
Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Arta Marku, tha gjatë fjalës në aktivitet se nënshkrimi i memorandumit shpreh vullnetin e përbashkët institucional për të bashkëpunuar në funksion të një procesi zgjedhor në përputhje me ligjin.
“Kjo marrëveshje e vë theksin tek bashkëpunimi i shpejtë mes dy institucioneve dhe shkëmbimi i informacioneve në kohën më të shpejtë të mundshme. Një marrëveshje e tillë thekson dhe njëherë vullnetin e përbashkët institucional për të bashkëpunuar në funksion të një procesi zgjedhor në përputhje të plotë me ligjin, një element i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit në BE”, u shpreh Marku.
Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, njohur si ligji për dekriminalizimin, miratuar në vitin 2015, ka si qëllim të garantojë besimin e publikut në funksionimin e institucioneve shtetërore nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në institucione, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar për kryerjen të krimeve të ndryshme.