BALLKANI

Shqipëri, prezantohet Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë

"Hartimi i strategjisë së re të drejtësisë, është mbështetur në një analizë të plotë të historikut të reformave të sistemit të drejtësisë, duke synuar përmirësimin e qasjes në drejtësi dhe rritjen e besimit të publikut", tha ministri Manja

Fatjon Cuka  | 14.10.2024 - Përdıtësım : 14.10.2024
Shqipëri, prezantohet Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në Tiranë është prezantuar Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024-2030, një dokument i hartuar nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë, raporton Anadolu.

Dokumenti në fjalë u prezantua nga ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, i cili në fjalën e tij u shpreh se prezantimi vjen në një moment kyç për rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), sipas tij siç është zhvillimi i Konferencës së Dytë Ndërqeveritare me BE-në që do të mbahet më 15 tetor.

"Hartimi i strategjisë së re të drejtësisë, është mbështetur në një analizë të plotë të historikut të reformave të sistemit të drejtësisë, duke synuar përmirësimin e qasjes në drejtësi, rritjen e besimit të publikut dhe nxitjen e integrimit evropian të vendit", u shpreh Manja.

Manja theksoi se strategjia adreson gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të monitorimit, si dhe të gjitha rekomandimet në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"Ne e shohim këtë proces si një mundësi për të reflektuar mbi arritjet, por njëkohësisht edhe për të përmirësuar më tej sistemin tonë të drejtësisë, duke marrë në konsideratë perspektivat e të gjithë aktorëve kyç, qoftë nga institucionet vendase, apo partnerët tanë ndërkombëtarë", tha ai.

Sipas ministrit Manja risitë kryesore të kësaj strategjie lidhen me forcimin e elementeve thelbësore të sistemit të drejtësisë dhe garantimin e qëndrueshmërisë së reformave të nisura.

Ai theksoi se këto risi reflektojnë përvojat e mësuara nga zbatimi i reformës në drejtësi, si dhe synimin për të rritur integritetin, transparencën dhe profesionalizmin e institucioneve.

Në aktivitet ishin të pranishëm edhe drejtues të institucioneve të ndryshme të drejtësisë dhe përfaqësues të ambasadave.

Ky dokument i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, sipas autoriteteve shqiptare do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin dhe zbatimin e reformave në sektorin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın