BALLKANI

Shqipëri, protestë në mbështetje të pensionistëve dhe kundër projektbuxhetit

Protesta është organizuar nga partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike(PD), para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në kohën që po diskutohej projektbuxheti për vitin 2025

Fatjon Cuka  | 19.11.2024 - Përdıtësım : 19.11.2024
Shqipëri, protestë në mbështetje të pensionistëve dhe kundër projektbuxhetit Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Shqipëri është mbajtur një protestë në mbështetje të pensionistëve dhe për të kundërshtuar projektbuxhetin për vitin 2025, raporton Anadolu.

Protesta është organizuar nga partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike (PD), para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në kohën që po diskutohej projektbuxheti për vitin 2025.

Gjatë protestës disa pensionistë dhe qytetarë theksuan në fjalimet e tyre se nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar jetesën.

Pjesë e protestës ishin edhe disa deputetë të opozitës, të cilët me fjalimet e tyre në Kuvend kanë kundërshtuar projektbuxhetin.

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore, ndërkohë nuk u shënuan përplasje.

Projektbuxheti për vitin 2025 paraprakisht planifikohet të jetë në vlerën 8.2 miliardë euro, ndërkohë partitë opozitare e kundërshtojnë pasi sipas tyre është "kundër qytetarëve".

Sipas Partisë Demokratike, pensionistët “nuk mund të lihen në harresë nga qeveria” dhe ka propozuar amendament për rritjen e pensioneve dhe pesëfishimin e fondit për rritjen e tyre.

Gjithashtu PD ka prezantuar disa amendamentet për buxhetin e vitit 2025 edhe për sektorë të tjerë, si miratimi i një minimumi jetik 200 euro për çdo shqiptar, rritje me 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për buxhetin e arsimit, rritje me 1 për qind të PBB-së për buxhetin e shëndetësisë, rritje me 10 për qind të pagave të administratës publike, si dhe rritje me 20 për qind të pagave të mësuesve dhe pedagogëve, mjekëve dhe infermierëve.

Sipas autoriteteve shqiptare, projektbuxheti i vitit 2025 mbështet zhvillimin ekonomik dhe social të vendit si dhe reformat e nevojshme për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Pas diskutimeve në seancë plenare, "Projektligji për buxhetin e vitit 2025" do të votohet në parim dhe në tërësi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın