Fatjon Cuka
23 Prill 2020•Përditësim: 23 Prill 2020
Me konfirmimin e 29 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur gjithsej në 663, përfshirë edhe 27 personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë testuar 240 persona të dyshuar me COVID-19, ndërsa nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 29 raste pozitive, nga të cilat 13 i përkasin një vatre në një institucion të vuajtjes së dënimit.
“Deri në këto momente janë testuar 6,509 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 663 raste. Gjatë 24 orëve të fundit, 29 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 385. Aktualisht në vendin tonë janë 251 persona të infektuar aktivë dhe numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme”, thuhet në njoftim.
Sipas ministrisë, edhe pse ka një rritje të numrit të rasteve sot, ato janë të lokalizuara në dy vatra që po monitorohen dhe ndiqen nga epidemiologët në terren.
Në Shqipëri për shkak të COVID-19 është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat e shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.