Fatjon Cuka
05 Maj 2020•Përditësim: 05 Maj 2020
Në Shqipëri rritet në 820 numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) me konfirmimin edhe të 17 rasteve të reja në 24 orët e fundit, ndërsa vazhdon të rritet numri i të shëruarve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime për persona të dyshuar me COVID-19, ndërsa në mesin e rasteve pozitive disa janë kontakte të rasteve të mëparshme.
"Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 820 qytetarë, ndërsa 70 për qind e tyre janë shëruar. Aktualisht janë 219 persona aktivë me COVID19", thuhet në njoftim.
Kujtojmë se deri tani 31 persona në Shqipëri kanë humbur jetën nga COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik, ndërsa bizneset e hapura protokollet e sigurisë.
Në Shqipëri për shkak të COVID-19 është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Institucionet aktualisht kanë filluar lehtësimin për disa nga masat kufizuese, ndërsa në vijim të strategjisë së rihapjes graduale prej datës 11 maj dhe 18 maj do të lehtësohen në aktivitetet e tyre një grup tjetër biznesesh.