BALLKANI

Shqipëri, rrjeti social TikTok do të mbyllet për një vit

"Kini parasysh që në ndërkohë kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri në 8 javë, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit ne do ta mbyllim (TikTok) plotësisht për të gjithë", tha Rama

Fatjon Cuka  | 21.12.2024 - Përdıtësım : 21.12.2024
Shqipëri, rrjeti social TikTok do të mbyllet për një vit Foto: AA/Arkiv

Tiranë

Në Shqipëri autoritetet kanë deklaruar se rrjeti social TikTok do të mbyllet në vend për një vit, raporton Anadolu.

Në Tiranë është mbajtur takimi përmbyllës i këshillimit kombëtar me mësues e prindër, ku u prezantua plani i ri i veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë dhe sipas autoriteteve ngritjen në një nivel të ri të marrëdhënies shkollë-nxënës-prindër.

Nisma në fjalë vjen pas vrasjes nga një bashkëmoshatar i tij të një nxënësi 14-vjeçar muajin e kaluar dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.

Në fjalën e tij në këtë takim, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se janë në proces për të ndërtuar Institutin e Fëmijëve në Konflikt me Ligjin që sipas tij është një institut që është një model evropian.

"Ne TikTok-un do ta mbyllim për një vit. Kini parasysh që në ndërkohë kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri në 8 javë, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë", u shpreh Rama.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet.

Sipas ministres, plani i veprimit synon të forcojë masat kundër dhunës, bullizmit dhe kërcënimeve digjitale, duke "ndërtuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për fëmijët”.

Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë

Më 18 nëntor, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos.

Kjo ngjarje shkaktoi reagime të organizatave të shoqërisë civile, partive politike dhe prindërve, si dhe protesta në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.

Nga ana tjetër, pas ngjarjes kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi nisjen e një konsultimi dhe këshillimi publik me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat e vendit, lidhur me bllokimin e plotë ose kufizimit të rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın