Shqipëria bëhet zyrtarisht anëtare e SEPA-s
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një reagim në rrjetet sociale këtë anëtarësim e ka konsideruar një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropian
Tiranë
Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave ka miratuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në zonën gjeografike të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe nga 21 nëntori 2024, Shqipëria është zyrtarisht anëtare e SEPA-s, transmeton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një reagim në rrjetet sociale këtë anëtarësim e ka konsideruar një tjetër hap të madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropian.
"Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik evropian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Evropa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025. Miliona e miliona euro të kursyera nga detyrimet mbi dërgesat, falë rritjes së besimit tek Shqipëria dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt majës së anëtarësimit në BE", ka shkruar Rama.
Ndërkohë, në një njoftim nga Banka Qendrore e Shqipërisë thuhet se me këtë anëtarësim përmbushet me sukses një ndër ambiciet kryesore të këtij institucioni në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët vendas për t’u përafruar me standardet dhe parimet evropiane. Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së”, ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Sipas njoftimit, përfitimet e Shqipërisë nga pjesëmarrja në SEPA për qytetarët dhe ekonominë janë të shumëfishta. "Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. E thënë më thjesht, përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta ndërkufitare sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas", thuhet në njoftim.