BALLKANI

Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë deklaratën e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

Deklarata është nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq dhe synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tre vendeve

Fatjon Cuka  | 18.03.2025 - Përdıtësım : 18.03.2025
Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë deklaratën e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes Foto: Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë

Tiranë

Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar në Tiranë deklaratën e përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, transmeton Anadolu.

Deklarata është nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq.

Sipas një njoftimi për mediat nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ky bashkëpunim synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tre vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.

Gjithashtu theksohet se ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tre shteteve, "të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt".

"Kemi një vlerësim të përbashkët të kërcënimeve në një mjedis sigurie të brishtë. Në këtë kontekst, angazhimi ynë për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, është më i fortë se kurrë", ka theksuar ministri Vengu.

Gjithashtu theksohet se Shqipëria dhe Kroacia do të punojnë ngushtësisht për unifikimin e qëndrimeve politike në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike.

Sipas njoftimit, ministrat Anushiq dhe Maqedonci e vlerësuan këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve në përballimin e rreziqeve dhe sfidave të përbashkëta.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın