Shqipëria shënon 5-vjetorin e tërmetit shkatërrimtar
Türkiye ofroi ndihmë të menjëhershme për Shqipërinë për përballimin e fatkeqësisë natyrore, ku disa institucione u angazhuan pas tërmetit me ekipe në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndihmë mjekësore dhe për ofrimin e ndihmave humanitare
Tiranë
FATJON CUKA
Shqipëria shënon përvjetorin e pestë të tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin më 26 nëntor 2019, duke shkaktuar dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Pas tërmetit shkatërrimtar që u konsiderua një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha në dekadat e fundit në Shqipëri, shumë shtete dhe organizata u mobilizuan dhe angazhuan për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e fatkeqësisë natyrore dhe në procesin e rindërtimit.
Sipas të dhënave që disponon Instituti i Gjeoshkencave i Shqipërisë, Shqipëria është goditur nga disa tërmete shkatërrimtarë në periudhën e 100 viteve të fundit.
Ndër tërmetet më shkatërrimtarë dhe me pasoja të rënda janë regjistruar në vitet 1920, 1960, 1967, 1979 dhe i fundit në vitin 2019, që shkaktuan viktima dhe dëme të mëdha materiale.
- Pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019
Në orën 03:54 të datës 26 nëntor 2019 në Shqipëri u regjistrua një nga tërmetet më shkatërrimtar në dekadat e fundit, me magnitudë 6,3 ballë sipas shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte brenda territorit të Qarkut të Durrësit, 30 kilometra nga Tirana.
Si pasojë e tërmetit u shkatërruan dhe dëmtuan pallate banimi, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, qendra shëndetësore, objekte të kultit dhe godina të tjera më funksione të ndryshme, ndërkohë gjurmët e shkatërrimeve mbetën prezente për disa vite.
Sipas të dhënave zyrtare që ka përpiluar Anadolu, si pasojë e tërmetit të pesë viteve më parë, 51 persona humbën jetën, 913 të tjerë u plagosën, mijëra të tjerë u ndikuan në shëndetin e tyre, 202.291 persona u prekën në vend, ku 47.263 në mënyrë direkte dhe 155.029 në mënyrë indirekte dhe 17.000 persona u zhvendosën nga banesat e tyre. Bashkitë më të prekura ishin Durrës, Shijak, Krujë, Tiranë, Kamëz, Kavajë, Kurbin dhe Lezhë.
Sipas raportit "Vlerësimi i Nevojave pas Katastrofës", i përgatitur bashkërisht nga Qeveria e Shqipërisë, Bashkimi Evropian (BE), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Banka Botërore, efektet totale të katastrofës në dëme dhe humbje në njëmbëdhjetë bashkitë e prekura ishin në mbi 985 milionë euro.
- Procesi i rindërtimit dhe ndihma e Türkiyes
Pas tërmetit filloi puna me procesin e rindërtimit, që kaloi në disa faza, ndërsa ky proces u mbështet financiarisht nga Qeveria e Shqipërisë, shtete të ndryshme dhe donatorë dhe organizata kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, Türkiye ofroi ndihmë të menjëhershme për Shqipërinë për përballimin e fatkeqësisë natyrore, ku disa institucione u angazhuan pas tërmetit me ekipe në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndihmë mjekësore dhe për ofrimin e ndihmave humanitare.
Pjesë e ofrimit të ndihmave dhe mbështetjes nga institucionet turke ishin Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Ekipi Kombëtar Mjekësor i Shpëtimit pranë Ministrisë turke të Shëndetësisë (UMKE), Ambasada e Türkiyes në Tiranë, Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe organizata të ndryshme.
Pas tërmetit, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, premtoi ndërtimin nga shteti turk të qindra njësive të banimit dhe u bëri thirrje edhe vendeve të tjera ta ndihmojnë Shqipërinë.
Në vitin 2020 filluan punimet e projektit të financuar nga Türkiye në qytetin e Laçit të Bashkisë Kurbin për ndërtimin e 522 apartamenteve, por dhe disa njësive tregtare, projekt që u zhvillua nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Türkiyes (TOKI) dhe punimet u realizuan nga kompania Albayrak.
Ceremonia zyrtare e dorëzimit të banesave të ndërtuara me kontributin financiar të Türkiyes për familjet e prekura nga tërmeti u mbajt në janar 2022, me pjesëmarrjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga të dy vendet.
Me Shqipërinë gjithashtu u solidarizuan edhe Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Zvicra, Italia, Rumania, Greqia, Franca, SHBA-ja dhe shtete të tjera, si dhe OKB dhe BE me ekipet e tyre të kërkim-shpëtimit, me ndihma dhe me fondet për procesin e rindërtimit të banesave dhe objekteve të tjera.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.