Shqipëria shënon Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë
Ceremonia qendrore me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është mbajtur në Vlorë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë një ceremoni është organizuar edhe në Tiranë

Tiranë
Në Shqipëri shënohet sot Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, ku në të gjithë vendin janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia qendrore me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është mbajtur në qytetin e Vlorës me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit të organizuar në Sheshin e Flamurit në Vlorë ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe zyrtarë të tjerë.
Pas vendosjes së kurorave me lule nga zyrtarët në varrin monumental të Ismail Qemalit, Presidenti Begaj mbajti një fjalë përshëndetëse në ceremoni, ku theksoi se Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar.
"110 vjet pas shpalljes së pavarësisë, jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Ballkan, në Evropë e në mbarë botën. Kombi shqiptar ka forcuar gjithnjë e më shumë pozitat dhe rolin e tij të merituar, duke u bërë një faktor dhe aktor i besueshëm për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajonin tonë", u shpreh Begaj.
Begaj tha se Shqipëria është e fokusuar në objektivin strategjik të integrimit në Bashkimin Evropian.
Një ceremoni simbolike e ngritjes së flamurit është organizuar edhe nga Bashkia e Tiranës në Sheshin "Skënderbej" në kryeqytetin e Shqipërisë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të ndryshëm dhe qytetarëve.
Me rastin e 28 Nëntorit, Tirana dhe qytete të tjera të vendit janë dekoruar me flamuj dhe simbole të tjera kombëtare, ku sheshet, shtëpitë dhe godinat e institucioneve janë zbukuruar me ngjyrat kuqezi, duke u krijuar edhe atmosferë festive.
Ndërkohë, aktivitete të ndryshme në nder të kësaj dite organizohen edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, kurse sonte në Sheshin "Skënderbej" do të mbahet koncert i këngëtares Dua Lipa.
Në Shqipëri 28 Nëntori festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, pasi më 28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.