Fatjon Cuka
15 Qershor 2023•Përditësim: 16 Qershor 2023
Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë në seancën e sotme parlamentare nga debatet për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe tensionet në veri të vendit, ndërkohë deputetët e opozitës kërkuan mbajtjen e një seancë të posaçme me debat për këtë çështje, raporton Anadolu.
Deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), kërkuan që i pranishëm në seancë të ishte edhe kryeministri Edi Rama dhe që Kuvendi të dalë me një qëndrim rreth zhvillimeve dhe tensioneve të fundit në Kosovë.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës theksoi se janë pranë Kosovës dhe duan zgjidhjen e situatës.
“Ne jemi pranë Kosovës dhe duam zgjidhjen e situatës njësoj siç e duan dhe partnerët e Kosovës, Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), që pa dyshim janë qetësi dhe dialog. Të mos përdorim Kosovën për situatat tona të brendshme politike, e kemi shumë të shtrenjtë Kosovën për ta përdorur për këtë”, tha Nikolla.
Kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), Taulant Balla, në fjalën e tij tha Shqipëria është gjithmonë pranë popullit të Kosovës.
"Shqipëria, nuk ka asnjë dyshim, të paktën sa kohë kemi qenë ne në qeverisje dhe do të vazhdojmë të jemi në qeverisje, është gjithmonë pranë popullit të Kosovës, e theksoj, pranë popullit të Kosovës, pranë interesave të Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Por mos harroni që ne jemi një vend anëtar i organizatës euro-atlantike, asaj organizate falë së cilës u bombardua për afro dy muaj Serbia dhe falë asaj organizate kemi sot Kosovën shtet të lirë, sovran, të pavarur. Shqipëria duhet të jetë në të njëjtën linjë me organizatën euro-atlantike", tha Balla.
Balla theksoi më tej se "Kosova, populli i Kosovës ka nevojë për Shqipërinë, natyrshëm dhe Shqipërinë këtu e ka, por mos të harrojmë kurrë që lirinë e arritëm në aleancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe me Britaninë e Madhe dhe duhet të vazhdojmë ta konsolidojmë këtë aleancë historike".
Asllan Dogjani, deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë, theksoi se duhet të miratohet një rezolutë që të dënojnë sipas tij "dhunën e ushtruar në Kosovë nga grupet e organizuara kriminale dhe të mbështesim shqiptarët e Kosovës".
"Unë kam kërkuar në seancën e kaluar që Kuvendi të mbajë një qëndrim. Situata ka agravuar, forcat speciale serbe janë futur në Kosovë dhe kanë marrë tre policë peng. Kemi kryeministrin e Shqipërisë, i cili sillet si kryetar i OKB-së dhe nuk vjen këtu të japë informacion se çfarë platforme ju ka dërguar francezëve dhe gjermanëve për vëllezërit tanë në Kosovë", tha Dogjani.
Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Jorida Tabaku, tha se e rëndësishme është që sot t’i dënojnë ato që po ndodhin në territorin e Kosovës, "duke filluar që nga marrja peng e tre policëve në territorin e Kosovës, deri tek përshkallëzimi i asaj që po ndodh në veri".
Kujtojmë se në fund të majit shpërthyen tensione në veri të Kosovës, kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës asistuan kryetarët e rinj të komunave. Më pas, protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it, ku u plagosën dhjetëra ushtarë ndërkombëtarë dhe protestues.
Policia e Kosovës njoftoi më 14 qershor se “ka ndodhur një rrëmbim klasik nga forcat serbe”, i tre policëve të Kosovës.
Ndërkohë,k kryeministri Rama, disa ditë më parë konfirmoi se presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, u ka përcjellë një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, propozim i cili shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Kosovë.
Pas këtyre zhvillimeve, mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës e planifikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë u anulua.