BALLKANI

Siljanovska-Davkova: BE-ja mbetet qëllimi strategjik i Maqedonisë së Veriut

Siljanovska-Davkova sot mbajti fjalim në Forumin e 12-të Global në Baku, në seancën me temë “Pakti për të ardhmen e Kombeve të Bashkuara: Ndërtimi i një konsensusi të ri global”

Shpetim Hiseni  | 13.03.2025 - Përdıtësım : 14.03.2025
Siljanovska-Davkova: BE-ja mbetet qëllimi strategjik i Maqedonisë së Veriut Burimi: Presidenca e RMV-së

Shkup

SHKUP (AA) – Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, tha se Bashkimi Evropian (BE) mbetet qëllimi strategjik i vendit të saj, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë partner strategjik, transmeton Anadolu.

Siljanovska-Davkova sot mbajti fjalim në Forumin e 12-të Global në Baku, në seancën me temë “Pakti për të ardhmen e Kombeve të Bashkuara: Ndërtimi i një konsensusi të ri global”.

Ajo vuri në dukje se Kombet e Bashkuara janë ende e vetmja organizatë që ka potencialin për të adresuar problemet.

“Edhe pse e vjetëruar, Kombet e Bashkuara janë ende e vetmja organizatë që, përveç legjitimitetit universal, ka akumuluar përvojë, njohuri dhe potencial për të adresuar problemet, për të mobilizuar opinionin global, për të koordinuar proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes dhe për të ndihmuar në zbatimin e tyre”, theksoi Siljanovska-Davkova.

Ajo bëri thirrje për reforma themelore që do t’i bënin institucionet globale më legjitime, më të drejta, më efektive dhe më të qëndrueshme në përmbushjen e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

”Këshilli i Sigurimit duhet të zgjerohet, reformohet dhe demokratizohet për të qenë më i përgjegjshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Asambleja e Përgjithshme duhet të zërë vendin që i takon si organi kryesor përfaqësues jo vetëm për debat, por edhe për politikëbërje. Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duhet të bëhen të detyrueshme për të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë Kombet e Bashkuara do të jenë në gjendje t'u përgjigjen sfidave aktuale gjeopolitike, ekonomike, mjedisore, klimatike, teknologjike dhe demografike”, deklaroi ndër të tjera Siljanovska-Davkova.

Në fjalën e saj, presidentja e Maqedonisë së Veriut rikonfirmoi anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një objektiv strategjik të vendit. Ajo gjithashtu theksoi se ne nuk po e braktisim partneritetin strategjik të vendit me Shtetet e Bashkuara.

Ajo kërkoi një rrugë të qartë integruese, të bazuar në parime dhe rregulla.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.