Spitali Rajonal Memorial në Fier merr kartën e autonomisë financiare
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, Spitali Rajonal Memorial i Fierit është kthyer në shembullin më të mirë të shërbimit mjekësor në vend, duke u bërë model për menaxhimin modern të spitaleve

Tiranë
Spitali Rajonal Memorial në Fier, i ndërtuar me mbështetjen financiare të Türkiyes, ka marrë kartën e autonomisë financiare, transmeton Anadolu.
Kryeministri Edi Rama, bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, zhvilloi sot një takim me ekipin e mjekëve të Spitalit Rajonal Memorial, të përbërë nga mjekë të specializuar nga Türkiye dhe Shqipëria dhe u dorëzoi bashkëdrejtuesve të spitalit kartën e autonomisë financiare.
Në fjalën e tij gjatë aktivitetit, duke folur për Spitalin Rajonal Memorial në Fier, Rama u shpreh se sot kalojnë në fazën tjetër nga autonomia menaxheriale e provuar, e testuar me sukses në autonominë financiare.
"Faktikisht, këtu në Memorial nisi një rrugë e re, pak a shumë, 4 vjet më parë dhe po këtu nisi dhe procesi i autonomisë menaxheriale, i cili ka dhënë të gjitha rezultatet kuptimplota për të parë konkretisht se sa e rëndësishme është që mjekët, infermierët, skuadrat që jetojnë përditë dhe punojnë me orë e pa orë shpesh herë në spitale të kenë në dorë vendimmarrjen për menaxhimin dhe të kenë në dorë vendimmarrjen për shpenzimet e spitaleve", tha Rama.
Rama theksoi se në Türkiye transformimi i shëndetësisë është një nga pasqyrat më të jashtëzakonshme të gjithë transformimit në tërësi të Türkiyes, duke shtuar se shpreh një mirënjohje të përzemërt për Republikën e Türkiyes dhe për presidentin Recep Tayyip Erdoğan, sipas tij, i cili luajti një rol të rëndësishëm në ndërtimin e këtij spitali.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, Spitali Rajonal Memorial i Fierit është kthyer në shembullin më të mirë të shërbimit mjekësor në vend, duke u bërë model për menaxhimin modern të spitaleve.
Spitali Rajonal Memorial në Fier u hap për shërbim ndaj qytetarëve në fund të majit të vitit 2021 dhe në kuadër të një protokolli bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Türkiyes, spitali menaxhohet për një periudhë disavjeçare bashkërisht nga ekipet turke dhe shqiptare.
Spitali Memorial Rajonal në Fier është spitali i parë publik në Shqipëri që përfitoi kartën e autonomisë menaxheriale.
Ndërkohë, gjatë aktivitetit të sotëm gjashtë spitale të tjera publike në vend morën kartën e autonomisë menaxheriale.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.