BALLKANI

"Sulm kibernetik kompleks dhe në shkallë të gjerë ndaj Shqipërisë"

Në një njoftim nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë thuhet se nëpërmjet platformave të monitorimit për sigurinë kibernetike të ngritura për sistemet dhe infrastrukturat qeveritare, u vu re një sulm kibernetik kompleks dhe në shkallë të gjerë

Fatjon Cuka  | 18.07.2022 - Përdıtësım : 19.07.2022
"Sulm kibernetik kompleks dhe në shkallë të gjerë ndaj Shqipërisë"

Tiranë

Sipas autoriteteve shqiptare, ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik, ku dyshohet të jetë i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë, transmeton Aanadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë thuhet se nëpërmjet platformave të monitorimit për sigurinë kibernetike të ngritura për sistemet dhe infrastrukturat qeveritare, u vu re një sulm kibernetik kompleks dhe në shkallë të gjerë.

Gjithashtu theksohet se duke ndjekur protokollet e reagimit, u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave.

"Metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare. Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit. Vetëm në Ukrainë këtë vit ka pasur 5 sulme me të njëjtën metodologji, ndërsa në Gjermani i njëjti lloj sulmi ka nxjerrë jashtë funksioni impiantet e prodhimit të energjisë me erë", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.

"Që në momentet e para të evidentimit të këtij sulmi AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e Shqipërisë) është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët tanë të Microsoft nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mirë kibernetikë të Detektimit dhe Përgjigjes ndaj Incidenteve (DART team). Gjithashtu ekspertët e ‘Jones Group International’ janë këtu, për trajtimin e situatës dhe kthimin sa më shpejt në normalitet", theksohet në njoftim.

Më tej thuhet se paralelisht të gjithë aktorët institucionalë janë në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm për hetim të thellë e të detajuar të "këtij krimi kibernetik".

"Sigurojmë të gjithë qytetarët se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura. Nuk ka vend për polemika politike aq kohë sa jemi përballë një armiku të përbashkët në këtë luftë kibernetike", thuhet më tej në njoftim.

Ndërkohë, pas evidentimit të sulmit në fjalë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e Shqipërisë ka mbyllur përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe të disa uebfaqeve qeveritare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.